Nga Ola Mitre
Ndotja nga ujërat e zeza prek një pjesë të konsiderueshme të liqeneve dhe rezervuareve të monitoruar në vend, përfshirë edhe burime strategjike të ujit dhe destinacione turistike. Nga 14 trupa ujorë të monitoruar gjatë vitit 2025, 8 janë klasifikuar me status ekologjik “të keq”, ndërsa 6 të tjerë “të moderuar”.
Të dhënat janë pjesë e Raportit të Monitorimit Alternativ të realizuar në kuadër të GreenAL, ndërsa matjet për ujërat janë kryer në dy periudha, në qershor dhe tetor 2025. Monitorimi ka përfshirë tregues fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë, mes tyre E. coli, koliformet dhe enterokokët.
Me status “të keq” janë klasifikuar Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës, Rezervuari i Rubjekës, Hidrovori Hamallaj, Deti Adriatik, Liqeni i Treganit, Liqeni i Tafanëve dhe Vija e Ngjalës. Ndërkohë, Liqeni Artificial i Tiranës, Funar II, Liqeni i Belshit, Vau i Dejës, Liqeni i Shkodrës dhe Prespa e Madhe rezultojnë në gjendje “të moderuar”.
Problematikat lidhen me ndotjen mikrobiologjike, turbiditetin e lartë, shtimin e nutrientëve dhe mineralizimin e ujit. Sipas raportit, presionet mund të vijnë nga shkarkimet urbane, aktivitetet bujqësore, rrjedhjet sipërfaqësore dhe burime të tjera antropogjene.

Ndotje fekale në liqene
Një nga gjetjet më shqetësuese është prania e ndotjes fekale në një sërë trupash ujorë, mes tyre edhe liqene që përdoren ose kanë potencial për aktivitete rekreative.
Liqeni i Bovillës, burimi kryesor për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës, paraqet probleme mikrobiologjike. Në matjet e qershorit janë regjistruar rreth 2,100 CFU/100 ml E. coli dhe 5,900 CFU/100 ml koliforme totale, mbi vlerat e përdorura si referencë për ujërat rekreative. Raporti e lidh këtë rezultat me ndotjen fekale dhe kërkon kontroll të burimeve të mundshme të ndotjes në pellgun ujëmbledhës.
Edhe më problematike paraqitet situata në disa liqene që përdoren për rekreacion. Në Liqenin Artificial të Tiranës janë regjistruar vlera të larta të E. coli dhe koliformeve totale, duke e bërë kontaktin e drejtpërdrejtë me ujin të pasigurt sipas vlerësimit të raportit.
“Kjo dëshmon prani të ndotjes fekale dhe përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik në rast kontakti me ujin. Ndotja mikrobiologjike e vazhdueshme e bën liqenin të papërshtatshëm për përdorim rekreativ me kontakt të drejtpërdrejtë”, – thuhet në këtë dokument.
Ndotjes mikrobiologjike nuk i ka shpëtuar as Liqeni Funar II, një zonë e promovuar për turizëm në Elbasan. Megjithëse gjendja fiziko-kimike paraqitet relativisht e mirë, raporti evidenton nivele të larta të E. coli dhe koliformeve totale. Si burime të mundshme përmenden kanalizimet, prania e kafshëve dhe rrjedhjet sipërfaqësore.
Situata është më e rënduar në Liqenin e Treganit, ku krahas ndotjes mikrobiologjike evidentohen mineralizim i lartë dhe turbiditet i shtuar. Përqendrimi i natriumit arrin në 870–1,100 mg/l, shumë mbi kufirin referues prej 200 mg/l për ujitje.
Një nga rastet më problematike është Liqeni i Tafanëve, pranë Belshit. E. coli ka arritur deri në 30,000 CFU/100 ml, ndërsa raporti evidenton njëkohësisht turbiditet ekstrem dhe ngarkesë të lartë me nutrientë. Sipas vlerësimit, kombinimi i këtyre treguesve e vendos liqenin në gjendje kritike dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
Edhe Liqeni i Belshit, i kthyer vitet e fundit në destinacion turistik, paraqet ndotje mikrobiologjike. Në të dyja periudhat e monitorimit janë konstatuar E. coli dhe koliforme totale mbi kufirin e përdorur për ujërat rekreative, çka sinjalizon rrezik në rast kontakti të drejtpërdrejtë me ujin.
Probleme, edhe në liqenet e mëdha
Ndotja fekale është evidentuar edhe në disa prej trupave ujorë që përgjithësisht paraqesin gjendje më të qëndrueshme.
Liqeni i Shkodrës ka parametra fiziko-kimikë relativisht të mirë, por analizat kanë evidentuar E. coli mbi normat për ujërat rekreative. Gjithashtu, nitratet arrijnë në 33 mg/l, mbi kufirin referues prej 25 mg/l për ujitje.
Situatë e ngjashme paraqitet në Prespën e Madhe. Pavarësisht gjendjes përgjithësisht të qëndrueshme fiziko-kimike, raporti konstaton E. coli mbi normat e lejuara për ujërat rekreative, duke sinjalizuar ndotje fekale dhe rrezik për kontakt të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, Rezervuari i Vaut të Dejës nuk paraqet shenja degradimi kritik, por monitorimi ka evidentuar rritje të mineralizimit dhe nitrateve, çka kërkon ndjekje të vazhdueshme.
Raporti rekomandon forcimin e monitorimit, identifikimin dhe kontrollin e burimeve të ndotjes, reduktimin e shkarkimeve urbane dhe bujqësore dhe masa të posaçme për trupat ujorë me funksion rekreativ apo strategjik. Sipas tij, në mungesë të ndërhyrjeve, disa prej këtyre ujërave rrezikojnë degradim të mëtejshëm, me pasoja për ekosistemet dhe shëndetin publik.
Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.
