Klima tkurr prodhimin, gratë fermere mbajnë barrën

Analiza, Ngjarje
Temperaturat e larta dhe fenomenet ekstreme të motit po ulin rendimentin e kulturave bujqësore në fushën e Maliqit, duke rënduar veçanërisht mbi gratë fermere. Në Pojan, sipërfaqja e mbjellë me fasule është përgjysmuar në vetëm katër vjet, ndërsa rënia e prodhimit dhe emigracioni po ndryshojnë mënyrën e jetesës së familjeve që prej vitesh mbështeten te bujqësia.

Nga Ola Mitre

Pas vitesh të tëra duke jetuar me atë që prodhonte toka, Dafina Shaho sot ka hequr dorë nga bujqësia. Tetë dynymët që familja e saj zotëron në Pojan të Maliqit i ka dhënë me qira, pasi disa sezone radhazi mundi dhe shpenzimet nuk u kthyen në prodhim.

“Vitet e para mbillja 5 dynym fasule dhe merrja prodhim. Por nja tre vitet e fundit nuk pati prodhim. Diçka ndodhte, m’i digjte dielli, pastaj m’i prishi breshëri dhe s’mora asgjë. Tani i kam lëshuar tokat me qira, sa t’i lija djerrë”, – tregon ajo, duke shtuar se merr vetëm 20 mijë lekë të vjetra për dynym, ndërsa familja ka edhe 16 mijë lekë në muaj nga pagesat e KEMP-it që përfitojnë bashkëshorti dhe djali.

Dafina Shaho, fermere

Por historia e saj nuk është një rast i izoluar. Në fshatrat e Njësisë Administrative Pojan, gratë fermere tregojnë se temperaturat gjithnjë e më të larta, thatësira dhe fenomene të forta si breshëri po e bëjnë bujqësinë gjithnjë e më të vështirë. Pasojat janë veçanërisht të dukshme te fasulja, një prej kulturave tradicionale të zonës, që po mbillet gjithnjë e më pak.

Ndryshimi nuk po prek vetëm atë që prodhohet në tokë, por edhe mënyrën se si funksionojnë familjet fermere. Teksa bujqësia humbet leverdinë ekonomike, burrat largohen kryesisht drejt Greqisë për punë sezonale, ndërsa të rinjtë migrojnë ose emigrojnë. Në shumë familje janë gratë ato që mbeten mes punës në tokë, punëve të shtëpisë dhe kujdesit për familjen.

Fatime Meki, fermere prej 35 vitesh, e ka parë këtë transformim nga afër. Ajo kujton se dikur punët në bujqësi ndaheshin mes burrave dhe grave. Gratë angazhoheshin kryesisht në vjeljen, tharjen, pastrimin dhe seleksionimin e fasules, ndërsa proceset e tjera kryheshin nga burrat.

“Përveçse prodhoja për vete, dikur shkoja fshat më fshat për të punuar sepse kishte prodhim dhe më thërrisnin me ditë pune. Pra, nga vjelja e deri tek shitja në treg ishte puna ku përfshiheshin gratë, por tani nuk ndodh më kjo gjë. Burrat dhe fëmijët më shumë po merren me emigracionin se nuk ia vlen të mbjellësh tokën kur nuk merr prodhim”, – tregon ajo.

Fatime Meki, fermere

Përgjysmohet sipërfaqja e mbjellë me fasule

Ajo që tregojnë gratë e Pojanit reflektohet edhe në të dhënat zyrtare.

Në vetëm 4 vjet, Njësia Administrative Pojan, tradicionalisht një prej zonave kryesore të prodhimit të fasules në Bashkinë Maliq, ka humbur më shumë se gjysmën e sipërfaqes së mbjellë me këtë kulturë. Sipas të dhënave të bashkisë, në vitin 2022 kultivoheshin 360 hektarë fasule, ndërsa në vitin 2026 sipërfaqja ka zbritur në 161 hektarë, një tkurrje prej rreth 55%.

Rënia vihet re në të gjithë territorin e Bashkisë Maliq. Në vitin 2018 ishin të mbjella 630 hektarë fasule, ndërsa këtë vit sipërfaqja ka zbritur në rreth 300 hektarë. Në 8 vjet, kultivimi i kësaj kulture është tkurrur me rreth 52%.

Por të dhënat tregojnë se nuk është tkurrur vetëm sipërfaqja. Edhe toka e mbjellë jep më pak prodhim.

Në vitin 2018 nga fasulja merrej një rendiment mesatar prej rreth 26 kv/ha. Në vitin 2025, kur në territorin e Bashkisë Maliq u mbollën 420 hektarë, rendimenti mesatar ishte 17 kv/ha.

Specialistët e bujqësisë e lidhin rënien e prodhimit edhe me ndryshimet klimatike dhe veçanërisht me temperaturat e larta gjatë muajve vendimtarë për zhvillimin e bimës.

“Nëse gjatë muajve qershor dhe korrik temperatura kalon 28 gradë, për fasulen është shkatërruese, pasi është në fazën e lulëzimit. Mungesa e lagështisë në ajër bën që të rrëzojë lulen dhe, për rrjedhojë, të mos ketë prodhim”, – shpjegon Aurel Zenunllari, përgjegjës i sektorit të bujqësisë në Bashkinë Maliq.

Sipas tij, gjatë 4 viteve të fundit rendimenti i fasules ka rënë deri në 50%, ndërsa ndikimi i temperaturave të larta është ndier edhe te kultura të tjera.

“Është një situatë shqetësuese pasi në katër vitet e fundit, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe të nxehtit, vihet re një rënie e rendimentit të fasules deri në masën 50%. Ka ndikuar edhe te kulturat e tjera dhe, për rrjedhojë, fermerët nuk po preferojnë ta kultivojnë më, pasi del me kosto shumë të lartë”, – thotë Zenunllari.

Gratë e Pojanit thonë se pasojat e këtyre ndryshimeve i kanë ndier vit pas viti në tokat dhe ekonominë e familjeve të tyre. Për to, e ardhmja e bujqësisë duket gjithnjë e më e pasigurt.

“Me këto ritme asgjë nuk do mbillet, se kjo klimë po djeg të gjitha kulturat. Pa krah pune nga burrat, se do ikin në emigracion ata që të mbajnë familjet, mbetet vetëm mundi i grave. Por herë i nxehti, herë breshëri e herë tregu, bujqësia po falimenton. Janë disa shkaqe që të detyrojnë të ngresh duart lart e të dorëzohesh, siç bëra unë”, – përfundon Dafina.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.