Zjarret dogjën 16 mijë ha pyje e kullota, kërkohet parandalim

Analiza, Ngjarje
35 vatra në vetëm 24 orë, ndërsa 2025 la pas mbi 16 mijë ha të djegur. Ndryshimet klimatike po e bëjnë sezonin e zjarreve më të gjatë dhe më të rrezikshëm, por UNECE paralajmëron se përgjigjja nuk mund të kufizohet te ndërhyrja pasi flakët kanë nisur. Menaxhimi i pyjeve, pastrimi i biomasës, brezat kundër zjarrit, monitorimi dhe paralajmërimi i hershëm duhet të kalojnë në qendër të politikave.

Nga Ola Mitre

Vendi ynë po përballet me dhjetëra vatra zjarri në të gjithë territorin, duke angazhuar qindra forca operacionale, automjete zjarrfikëse dhe mjete ajrore për të vënë nën kontroll flakët.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë raportuar 35 vatra zjarri, prej të cilave 5 mbeten aktive dhe 3 po mbahen nën kontroll.  Zjarret vijojnë në Dajt, Lufaj të Mirditës, Gjegjan dhe Gojan të Pukës, Gjorm të Sipërm në Malësinë e Madhe dhe Tunjë të Re në Gramsh. Në zonën Tërbun–Gjegjan–Gojan është evakuuar edhe një familje, ndërsa ndërhyrja ka shmangur rrezikun për banesën.

Por, ndërsa çdo verë vëmendja përqendrohet te numri i zjarrfikësve, helikopterëve dhe operacionet për shuarjen e vatrave, një raport i sapopublikuar i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën, UNECE, e zhvendos debatin një hap më herët, duke sjellë në vëmendje ndërhyrjet përpara se pylli të marrë flakë.

UNECE: Reagimi pasi zjarri nis nuk mjafton!

Në raportin “Wildfires in the UNECE region – Response and Prevention”, Komisioni paralajmëron se zjarret po kthehen nga ngjarje të izoluara në një tipar të përsëritur të verës në shumë rajone dhe po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe jashtë sezonit tradicional të zjarreve. Për këtë arsye, forcimi i gatishmërisë dhe parandalimit shihet si një element thelbësor për reduktimin e dëmeve.

Mesazhi bëhet edhe më i rëndësishëm për Shqipërinë, ku bilanci i vitit të kaluar tregon përmasat që mund të marrë një sezon i rëndë zjarresh.

Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, gjatë periudhës janar–tetor u raportuan 346 raste zjarri në fondin pyjor dhe kullosor, 282 në fondin e administruar nga bashkitë dhe 64 në fondin shtetëror në zonat e mbrojtura. Në total, zjarret përshkuan mbi 33,500 ha, ndërsa sipërfaqja e djegur arriti në rreth 16,180 ha. Dëmi i raportuar llogaritet në mbi 7.18 mld lekë.

Vetë AKM e cilëson 2025 si një nga vitet më problematike të dekadës së fundit, me sipërfaqen e djegur dhe numrin e zjarreve ndër nivelet më të larta që prej vitit 2017. Krahasuar me vitet 2021–2024, sipërfaqja e djegur ishte pothuajse dyfish.

Madje, fatura reale mjedisore është shumë më e madhe. AKM sqaron se vlera ekonomike e dëmit është përllogaritur vetëm mbi humbjen e lëndës drusore dhe nuk përfshin kostot e ripyllëzimit, rigjenerimit të tokës, humbjet në biodiversitet, dëmet te bimët mjekësore, bujqësia, blegtoria apo infrastruktura.

Vlora, mbi 10 mijë ha të djegur

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë gjithashtu se rreziku nuk shpërndahet njësoj në territor.

Qarku i Vlorës mbajti peshën më të rëndë, me mbi 10,200 ha sipërfaqe të djegur, i ndjekur nga Gjirokastra me rreth 1,934 ha dhe Elbasani me mbi 1,000 ha.

Edhe zonat e mbrojtura nuk i shpëtuan flakëve. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 64 zjarre në fondin pyjor dhe kullosor të administruar nga zonat e mbrojtura, me rreth 1,205 ha të djegur.

Pisha, ahu dhe dushku rezultuan ndër llojet drusore më të prekura, ndërsa AKM evidenton veçanërisht cenueshmërinë e pyjeve me pishë për shkak të ndezshmërisë së lartë të halave dhe rrëshirave.

Të dhënat e zjarreve në fond pyjor dhe kullosor sipas qarqeve, në vitin 2025. Burimi: AKM

9 në 10 zjarre lidhen me aktivitetin njerëzor

Temperaturat ekstreme janë vetëm një pjesë e ekuacionit. Sipas UNECE, rreth 9 në çdo 10 zjarre në natyrë shkaktohen nga aktivitetet njerëzore, qëllimisht ose aksidentalisht, nga zjarret e hapura dhe cigaret e hedhura deri te defektet infrastrukturore.

Pikërisht për shkak se një pjesë kaq e madhe e tyre lidhet me shkaqe të parandalueshme, UNECE rekomandon edukim dhe ndërgjegjësim publik, rregulla më të forta, masa parandaluese dhe, gjatë periudhave me rrezik ekstrem, kufizime të përkohshme të aksesit në pyje.

Edhe të dhënat shqiptare evidentojnë aktivitetin njerëzor mes faktorëve kryesorë. AKM rendit djegien e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, zjarret e ndezura për krijimin e kullotave, cigaret e hedhura në natyrë, defektet në linjat elektrike dhe zjarrvëniet e qëllimshme. Megjithatë, një problem tjetër që del nga statistikat është fakti se pjesa më e madhe e rasteve për të cilat është raportuar, shkaku mbeten me origjinë të panjohur.

Nga pastrimi i pyjeve, te brezat kundër zjarrit

Raporti i UNECE vë theks të veçantë te menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve si një nga instrumentet më efektive për reduktimin e rrezikut.

Masat nuk janë domosdoshmërisht teknologji të komplikuara. Rrallimi i vegjetacionit tepër të dendur, largimi i biomasës së tepërt që mund të shërbejë si lëndë djegëse, mirëmbajtja e brezave kundër zjarrit dhe përdorimi i vegjetacionit më rezistent mund të reduktojnë ndjeshëm intensitetin dhe përhapjen e flakëve.

UNECE veçon edhe ruajtjen e ujit brenda ekosistemeve pyjore. Përmirësimi i aftësisë së pyjeve për të mbajtur ujin ndihmon jo vetëm kundër përmbytjeve në periudhat e lagështa, por ruan një bilanc më të mirë ujor gjatë thatësirave dhe ul rrezikun e zjarreve.

Menaxhimi i vegjetacionit është veçanërisht i rëndësishëm pranë zonave të banuara. UNECE rekomandon hapësira të pastruara rreth ndërtesave, akses të garantuar për zjarrfikësit dhe në burimet e ujit, si dhe kontroll të biomasës përmes kullotjes, shfrytëzimit të kontrolluar të materialit drusor dhe, aty ku është e përshtatshme, djegieve të kontrolluara në tokat e braktisura.

Ndryshimet klimatike po shumëfishojnë rrezikun

Parandalimi bëhet edhe më urgjent në kushtet e ndryshimeve klimatike.

Temperaturat mesatare në rritje, valët më të shpeshta të të nxehtit, thatësirat e zgjatura dhe ndryshimet në regjimin e reshjeve po krijojnë kushte që e bëjnë bimësinë gjithnjë e më të prekshme nga zjarret. Sipas UNECE, ngrohja po zgjat sezonin e zjarreve dhe po e shtrin rrezikun edhe në zona që më parë konsideroheshin më pak të ekspozuara.

Por marrëdhënia funksionon në të dyja drejtimet. Zjarret çlirojnë sasi të mëdha karboni në atmosferë dhe ushqejnë më tej ngrohjen globale. UNECE e përshkruan këtë si një cikël vetëpërforcues, ku ndryshimet klimatike rrisin shpeshtësinë dhe ashpërsinë e zjarreve, ndërsa zjarret kontribuojnë më tej në ndryshimet klimatike.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.