Delegacioni i Parlamentit Evropian: Punimet në Vjosë–Nartë shkelin Direktivat e BE-së

Ngjarje
Pas vizitës në Vjosë–Nartë dhe takimeve me autoritetet shqiptare, delegacioni i Grupit të Gjelbërve në Parlamentin Evropian arrin në përfundimin se ndërhyrjet në zonën e mbrojtur bien ndesh me standardet e BE-së.

Nga Ola Mitre

Qeveria shqiptare duhet të ndalojë menjëherë çdo aktivitet në peizazhin e mbrojtur Vjosë–Nartë, të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin ‘Për zonat e mbrojtura’ dhe të miratojë një ligj të ri në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”. Këto janë kërkesat e delegacionit të Grupit të Gjelbërve/ALE në Parlamentin Evropian, të prezantuara në përfundim të misionit tre-ditor faktmbledhës në Shqipëri.

Delegacioni u kryesua nga Tineke Strik, negociatore e Grupit të Gjelbërve për raportin e Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë. Pjesë e tij ishin gjithashtu eurodeputetët Jutta Paulus, Cristina Guarda, Anna Strolenberg, Nicolae Ștefănuță dhe Daniel Freund, si edhe deputeti i Bundestagut gjerman Boris Mijatović, deputetja kroate Jelena Miloš, këshilltarja bashkiake finlandeze Hanna Partanen dhe bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër Evropiane Vula Tsetsi.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni vizitoi zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, kantierin e aeroportit të Vlorës dhe zhvillimet e planifikuara në Sazan e Zvërnec, ndërsa zhvilloi takime me organizata të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe autoritetet shqiptare.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Europe House, në Tiranë, Strik tha se vëzhgimet në terren tregojnë se ndërhyrjet e kryera bien ndesh me legjislacionin evropian.

“Ndërtimi i një projekti kaq të madh pasurish të paluajtshme, në një zonë kaq të brishtë përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm. Dëmi i shkaktuar tashmë është shkelje e qartë e Direktivave të BE-së për Shpendët dhe Habitatet”, – u shpreh eurodeputetja.

Sipas gjetjeve të prezantuara nga Strik, rruga e ndërtuar, prerja e pyjeve, tharja e ligatinave dhe ngushtimi i kanalit që lidh lagunën me detin tregojnë se dëmtimi i zonës ka nisur tashmë.

Ndërkaq, duke iu referuar takimit me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, Strik tha se delegacioni dhe autoritetet shqiptare mbetën në qëndrime të kundërta lidhur me ndërhyrjet në zonën e mbrojtur. Sipas saj, argumenti se punimet janë kryer për realizimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis nuk qëndron.

“Si mund të ndërtohet fillimisht dhe vetëm më pas të vlerësohet nëse ndërtimi është i pranueshëm? Dëmi është bërë tashmë”.

Ajo shtoi se delegacioni nuk mori garanci nga autoritetet shqiptare se aktivitetet në terren do të pezullohen deri në përfundimin e procedurave mjedisore.

Shqetësime më të gjera se mjedisi

Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe protestave që prej javësh zhvillohen në Shqipëri kundër projektit. Strik vlerësoi se ato pasqyrojnë shqetësime shumë më të gjera për mënyrën e qeverisjes, transparencën dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

“Qytetarët kanë të drejtë kur thonë se Shqipëria nuk është në shitje. Protestat pasqyrojnë mungesën e konsultimit publik, mungesën e transparencës dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, – tha Strik.

Ajo shprehu shqetësim edhe për mënyrën sesi janë trajtuar protestuesit paqësorë.

“Në vend që të merren seriozisht, protestuesit po përballen me fushata denigruese dhe intimidim. Kjo është e papranueshme dhe nuk i shkon një demokracie të vërtetë”, – u shpreh eurodeputetja.

Mjedisi dhe integrimi

Duke komentuar qëndrimin e Komisionit Evropian, Strik tha se Brukseli ka qenë kritik ndaj ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, duke paralajmëruar se ato nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Sipas saj, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka theksuar nevojën për një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis dhe ka shprehur shqetësim se dëme të mëtejshme mund të shkaktohen përpara miratimit të një ligji të ri dhe përpara negociimit të Kapitullit 27.

Strik nënvizoi se qëndrimi i Parlamentit Evropian shkon një hap më tej, duke kërkuar vendosjen e një moratoriumi për çdo aktivitet të ri në zonë.

“Do të diskutoj me Marta Kos se si Komisioni Evropian do ta monitorojë këtë situatë sepse nuk mjafton thjesht t’u besojmë premtimeve. Duhet të monitorohen aktivitetet reale në terren, veçanërisht pas dëmeve që janë shkaktuar tashmë”, – u shpreh ajo, duke mbajtur parasysh deklaratat e Kos se ka marrë garanci nga qeveria për kryerjen e vlerësimit mjedisor.

Paralelisht, eurodeputetja bëri të ditur se çështja do të rikthehet në axhendën evropiane javën e ardhshme, gjatë takimit të delegacionit të Parlamentit Evropian me përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në Strasburg, ndërsa do të vijojë të ndjekja nga afër e zhvillimeve në Vjosë – Nartë.

Në përmbyllje të misionit, Strik vlerësoi progresin që Shqipëria ka bërë në procesin e integrimit evropian, por theksoi se mbrojtja e mjedisit, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i shtetit të së drejtës mbeten sfida vendimtare.

“Ditët e fundit pashë se qytetarët shqiptarë, duke mbrojtur vlerat evropiane, janë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por qeveria shqiptare po mbetet pas”.