EKSKLUZIVE / Zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, BE vendos kushte për integrimin

Investigime, Ngjarje
Një dokument i brendshëm i procesit të negociatave, i siguruar nga EkoSkaner, zbulon se Bashkimi Evropian i kërkon Shqipërisë të shfuqizojë ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe t’i japë fund ligjit “Për investimet strategjike”, dy instrumente ligjore që kanë qenë në qendër të debateve mbi zhvillimet në zona me vlera të larta natyrore.

Nga Ola Mitre

Ndërsa prej ditësh mijëra qytetarë po protestojnë kundër ndërtimit të resorteve turistike brenda zonave të mbrojtura Pishë Poro-Nartë dhe Bunë – Velipojë (Rrjoll), një dokument i siguruar EkoSkaner zbulon se Bashkimi Evropian i kërkon Shqipërisë të shfuqizojë ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe t’i japë fund ligjit “Për investimet strategjike”, dy instrumente ligjore që kanë qenë në qendër të debateve mbi zhvillimet në zona me vlera të larta natyrore.

Dokumenti i brendshëm i procesit të negociatave, që përmban konkluzionet operative të një “Takimi shpjegues për kriteret mbyllëse të Kapitullit 27 – Mjedisi”, i zhvilluar më 9 dhjetor 2025, zbulon se Komisioni Evropian e konsideron mbrojtjen e natyrës, ruajtjen e biodiversitetit dhe përafrimin me direktivat evropiane si kushte thelbësore për përmbushjen e kritereve mbyllëse të Kapitullit 27.

Ai përbën një nga materialet më të rëndësishme të negociatave në fushën e mjedisit, pasi përmbledh në mënyrë të detajuar kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për të bindur Brukselin se është e gatshme të zbatojë legjislacionin evropian në këtë sektor.

Ligjet e kontestuara

Në fund të vitit 2023, 12 deputetë të Partisë Socialiste propozuan ndryshime në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, me argumentin se kuadri ekzistues pengonte zhvillimin e projekteve në këto territore. Megjithëse projektligji kaloi në konsultim publik, versioni i miratuar në vitin 2024 ndryshoi thelbësisht përmes amendamenteve të paraqitura nga qeveria në momentet e fundit. Ndër të tjera, ndryshimet i dhanë Këshillit Kombëtar të Territorit kompetenca për të miratuar struktura turistike dhe infrastrukturë mbështetëse edhe brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare.

“Kushti i BE-së për shfuqizimin është një pikë shumë domethënëse sepse, ndërsa qeveria shqiptare i paraqiti këto ndryshime si pjesë të zhvillimit dhe modernizimit, vetë Bashkimi Evropian po kërkon që ato të hiqen dhe që mbrojtja e zonave të mbrojtura të rikthehet në standardet e kërkuara nga Evropa”, – thotë eksperti i mjedisit Adbulla Diku, duke shtuar se po aq domethënëse është edhe kërkesa e Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund ligjit të investimeve strategjike.

Ligji “Për investimet strategjike” u miratua në vitin 2015 si një instrument i përkohshëm, por afati i tij është shtyrë disa herë nga Kuvendi, duke e mbajtur në fuqi përtej afatit fillestar. Zgjatja e fundit u miratua në vitin 2025, duke e shtyrë vlefshmërinë e ligjit deri në fund të vitit 2026.

Përmes tij, investitorëve strategjikë u janë ofruar lehtësi të shumta, përfshirë tokë publike me qira simbolike, infrastrukturë mbështetëse dhe procedura të përshpejtuara administrative.

“Për vite me radhë, ky ligj është përdorur si argument për të përshpejtuar projekte të mëdha zhvillimore. Por Evropa është e qartë: statusi “strategjik” nuk mund të përdoret si justifikim për të anashkaluar mbrojtjen e mjedisit, konsultimin publik apo procedurat e nevojshme të vlerësimit mjedisor”, – thotë Diku.

Edhe sipas Olsi Nikës, drejtues i organizës “EcoAlbania” “problemi kryesor me ligjin për investimet strategjike nuk ka qenë ekzistenca e investimeve në vetvete, por fakti që ai ka krijuar mekanizma të përshpejtuar vendimmarrjeje që shpesh kanë vendosur interesin e zhvillimit ekonomik mbi analizën e plotë të ndikimeve mjedisore dhe ekologjike”.

“Në praktikë, një pjesë e projekteve të promovuara përmes këtij ligji janë propozuar ose zhvilluar në zona me vlera të larta natyrore, përfshirë ekosisteme bregdetare, laguna, pyje dhe territore të mbrojtura, duke rritur presionin mbi biodiversitetin dhe integritetin ekologjik të këtyre zonave”, – thotë ai.

Nga shqetësime publike, në kushte negociuese

Në dokumentin publik të Bashkimit Evropian të shtatorit 2025, këto çështje përmendeshin si shqetësime.

Dokumenti i siguruar nga EkoSkaner tregon se vetëm pak muaj më vonë ato janë shndërruar në kërkesa konkrete që Shqipëria duhet të adresojë”.

“Fakti që Komisioni Evropian e ka përfshirë shprehimisht çështjen e ligjit për zonat e mbrojtura në kushtet e mbylljes së Kapitullit 27 tregon se këto nuk konsiderohen më vetëm çështje të politikave kombëtare. Ato janë tashmë pjesë e kritereve konkrete që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u afruar me BE-në dhe për të dëshmuar se mund të garantojë mbrojtjen efektive të trashëgimisë së saj natyrore”, – thotë Nika.

Natura 2000, një tjetër provë për Shqipërinë

Përveç ndryshimeve ligjore, Komisioni Evropian kërkon që Shqipëria të paraqesë listën e zonave të propozuara për rrjetin Natura 2000, sistemi kryesor evropian për mbrojtjen e biodiversitetit.

Sipas dokumentit, vendi duhet të sigurojë mbulim të mjaftueshëm të habitateve dhe specieve sipas Direktivës së Habitateve dhe Direktivës së Shpendëve, si dhe të demonstrojë kapacitetet e nevojshme për menaxhimin dhe monitorimin e këtyre zonave.

Po ashtu, vendi duhet të tregojë se deri në momentin e anëtarësimit do të jetë në gjendje të garantojë ruajtjen dhe përmirësimin e statusit të habitateve dhe specieve me interes evropian.

Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku, këto kërkesa tregojnë se procesi i integrimit nuk mund të shoqërohet me dobësim të mbrojtjes së natyrës.

“Kjo do të thotë se vendi ynë nuk duhet të shkojë drejt zvogëlimit të mbrojtjes së natyrës, por drejt forcimit të saj. Nuk duhet të ketë më pak zona të mbrojtura, por më shumë. Nuk duhet të ketë më pak monitorim dhe kontroll, por më shumë. Nuk duhet të ketë më pak biodiversitet, por më shumë përpjekje për ta ruajtur atë”, – thotë Diku.

Megjithatë, ndërkohë që Brukseli kërkon forcimin e mbrojtjes së biodiversitetit, zhvillimet e fundit në Pishë Poro-Nartë dhe projektet në zona të tjera të ndjeshme si Rrjolli kanë ngritur pikëpyetje mbi drejtimin që po ndjek politika e zhvillimit në territor.

Sipas Nikës, Delta e Vjosës dhe kompleksi natyror Pishë Poro-Nartë janë një nga asetet më të rëndësishme natyrore të vendit dhe jo vetëm.

“Përfaqësojnë një nga zonat më të rëndësishme ekologjike në Shqipëri dhe në Mesdhe, me rëndësi të veçantë për shpendët migratorë, lagunat dhe habitatet bregdetare”, – thekson ai.

Në të njëjtën linjë, Diku kujton se rëndësia e zonës nuk lidhet vetëm me vlerën e saj turistike, por me funksionin ekologjik që ajo ka në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Për shumë njerëz, Narta mund të duket si një plazh apo si një territor i zakonshëm bregdetar. Por në sytë e Bashkimit Europian, ajo është diçka krejt tjetër. Është habitat natyror. Është ligatinë. Është korridor migrimi për shpendët. Është pjesë e një sistemi ekologjik me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare”, – thotë ai.

Ndaj, kjo panoramë lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si Shqipëria do të vlerësohet gjatë procesit të negociatave.

“Rasti i Pishë Poro-Nartës është problematik pikërisht sepse krijon përshtypjen se qeveria po e trajton integrimin si një objektiv formal që arrihet në fund të procesit, ndërkohë që BE po kërkon prova të përditshme se standardet evropiane po zbatohen që tani”, – thotë Nika.

“Kapitulli 27 nuk është një provim që jepet ditën e mbylljes së negociatave, por një proces i vazhdueshëm gjatë të cilit monitorohen politikat, vendimmarrja dhe veprimet konkrete të shtetit në terren”, – shprehet eksperti, duke theksuar se debati nuk duket të jetë mes zhvillimit dhe mjedisit, por mes dy modeleve të zhvillimit.

Për ekspertët, mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë: Shqipëria nuk do të vlerësohet vetëm mbi bazën e ligjeve që miraton, por edhe mbi mënyrën se si i zbaton ato në terren. Dhe në këtë kuptim, rastet e Pishë Poro-Nartës apo Rrjollit nuk janë thjesht debate lokale për një resort turistik, por pjesë e provës që vendi duhet të kalojë për të bindur Bashkimin Evropian se mbrojtja e natyrës mbetet prioritet.

“Një hotel mund të ndërtohet kudo, ndërsa një lagunë jo. Një resort mund të zëvendësohet, ndërsa një ekosistem i shkatërruar jo”, – përfundon Diku.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.