Pishë Poro-Nartë, si iu hap rruga ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur

Ngjarje
Historia e zhvillimeve në kompleksin natyror Pishë Poro-Vjosë-Nartë nuk nisi me hyrjen e makinerive në terren. Ajo është rezultat i një sërë vendimmarrjesh dhe ngjarjesh që prej vitesh kanë ngritur shqetësim te ekspertët e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile, që paralajmëronin se mbrojtja e këtyre territoreve po dobësohej gradualisht.

Nga Ola Mitre

Telat me gjemba janë vetëm kapitulli i fundit. Historia e zhvillimeve në kompleksin natyror Pishë Poro-Vjosë-Nartë nuk nisi me hyrjen e makinerive në terren. Ajo është rezultat i një sërë vendimmarrjesh dhe ngjarjesh që prej vitesh kanë ngritur shqetësim te ekspertët e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile, që paralajmëronin se mbrojtja e këtyre territoreve po dobësohej gradualisht.

Një nga momentet më të debatueshme ishte rishikimi i kufijve të zonave të mbrojtura. Procesi, që përfshiu rivlerësimin e rreth 505 mijë hektarëve ose 17.5% të territorit të vendit, u zhvillua në kohë rekord gjatë viteve 2019-2020 dhe u finalizua më pas me vendime të qeverisë.

Pas miratimit të tyre, 25 organizata mjedisore dhe të shoqërisë civile, së bashku me katër profesorë të shkencave të natyrës, kundërshtuan ndryshimet, duke argumentuar se ato reduktonin me 11% sipërfaqen e zonave ligatinore të mbrojtura, përjashtonin habitate me vlera të larta natyrore dhe krijonin hapësira për zhvillime të paqëndrueshme.

“Vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro”, – thuhej në deklaratën e përbashkët të organizatave.

Ndryshimet prekën drejtpërdrejt edhe kompleksin natyror Pishë Poro-Nartë. Me vendim të Këshillit të Ministrave, zona u ul në kategori dhe kaloi nga “Rezervat Natyror i Menaxhuar” (kategoria IV) në “Peizazh i Mbrojtur” (kategoria V). Po ashtu, ndërsa sipërfaqja e saj u zvogëlua nga 21,238 ha në 16,124.61 ha. Mes territoreve që dolën jashtë kufijve të zonës së mbrojtur ishte edhe sipërfaqja ku sot po ngrihet Aeroporti i Vlorës.

DJEGIA E PISHË – POROS

Por ndërsa debati për kufijtë vazhdonte, në shtator të vitit 2023 një tjetër ngjarje tronditi zonën.

Paraditen e 23 shtatorit 2023, pylli i Pishë Poros u përfshi nga flakët, që për gati dy javë shkrumbuan qindra hektarë me pishë të butë mesdhetare. Pylli është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe përfshihet gjithashtu në rrjetin EMERALD dhe IBA për shkak të vlerave të larta natyrore dhe biodiversitetit që mbart.

Autoritetet pohuan se zjarri ishte shkaktuar nga dora e njeriut, ndërsa pamjet e siguruara nga “EkoSkaner” treguan se zjarrvënia ishte e organizuar, me të paktën 8 vatra të ndezura në të njëjtën kohë. Edhe gjurmët e mbetura pas shuarjes së flakëve tregonin përdorimin e materialeve për të nxitur përhapjen e zjarrit.

Megjithatë, pavarësisht dëmit të konsideruar kolosal nga ekspertët, deri më sot nuk është identifikuar asnjë person përgjegjës.

Ish-drejtori i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, Adrian Koçi, e cilësoi ngjarjen si të paralajmëruar, duke argumentuar se zona kishte qenë prej vitesh objekt interesash të forta zhvillimi.

“Ajo zonë ka qenë gjithmonë në lakminë e investitorëve strategjikë. Prandaj mendoj që ajo zonë që ishte aq e lakmuar, u gjet mënyra për ta hequr qafe”, – deklaronte ai në atë kohë.

NDRYSHIMI I LIGJIT

Pak muaj më vonë, në fund të vitit 2023, nisi një tjetër proces që do të shkaktonte reagime të forta nga komuniteti mjedisor. Një grup deputetësh të shumicës depozitoi në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.

Drafti u shqyrtua me ritme të përshpejtuara dhe u shoqërua me kundërshtime të forta nga organizatat mjedisore, ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Sipas tyre, shqetësimi nuk lidhej vetëm me përmbajtjen e ligjit, por edhe me mënyrën se si ishte zhvilluar procesi, pasi amendamentet e miratuara në fund ishin ndjeshëm të ndryshme nga ato që ishin konsultuar publikisht.

Përpjekjet për të ndalur miratimin e ndryshimeve ishin të shumta. Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, së bashku me 10 organizata të tjera dhe mbi njëzet ekspertë, dërguan më shumë se 100 letra urgjente dhe qëndrime publike kundërshtuese. Më pas u kërkua edhe mosdekretimi i ligjit nga Presidenti i Republikës, ndërsa në vijim ndryshimet u kundërshtuan edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, ligji hyri në fuqi.

Sipas ekspertëve të mjedisit, një nga ndryshimet më problematike ishte zgjerimi i mundësive për zhvillime turistike dhe infrastrukturë mbështetëse brenda zonave të mbrojtura, si dhe roli më i madh që i jepej Këshillit Kombëtar të Territorit në miratimin e projekteve të tilla.

“Thelbi i ndërhyrjes është që Këshilli Kombëtar i Territorit nuk ka më asnjë kufizim për të miratuar çdo lloj aktiviteti ekonomik dhe turistik në çfarëdolloj zone të mbrojtur”, – argumentonte në atë kohë Taulant Bino nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë.

“Është shumë e rrezikshme si ndërhyrje sepse jo vetëm që miraton hoteleri – turizëm, por miraton edhe çdo lloj aktiviteti mbështetës, që mund të jetë një autostradë, një fushë golfi, që mund të jetë një pistë helikopteri apo pistë avionësh e kështu me radhë”, – pohonte më tej ai.

Një tjetër pikë që shkaktoi debat ishte përfshirja e të ashtuquajturit “parim i përshtatshmërisë”, i cili sipas ekspertëve binte ndesh me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës.

“Zonat e mbrojtura nuk duhet t’u përshtaten zhvillimeve. Duhet të jetë zhvillimi ai që përshtatet me zonat e mbrojtura”, – argumentonte juristja Elvana Tivari.

Ndërsa eksperti i mjedisit Abdulla Diku paralajmëronte se ky parim mund të krijonte hapësira për interpretime të rrezikshme në rastet kur territore të caktuara dëmtohen apo degradohen.

“Kjo do të bëjë që investitorë potencialë, investitorë strategjikë, njerëz të interesuar të ndërtojnë në zona të mbrojtura do të rrinë me çakmak e me shkrepse në xhep për të djegur qoshe, pjesë të zonave të mbrojtura, në mënyrë që këto territore të mund të interpretohen sipas këtij parimi”, – thoshte ai.

Sot, ndërsa Pishë Poro dhe Vjosë-Nartë janë kthyer sërish në qendër të debatit publik, shumë prej paralajmërimeve të ngritura gjatë viteve të fundit po rikthehen në vëmendje. Por, për organizatat mjedisore çdo zonë e mbrojtur nuk është e përjashtuar nga zhvillimi.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.