Ndotja e ajrit “alarmante”, plani 700 mln euro i Bashkisë Tiranë pritet me kritika

Ngjarje
Për herë të parë në një dokument zyrtar të Bashkisë Tiranë pranohet se një nga faktorët kryesorë për ndotjen e ajrit është urbanizimi pa kriter i qytetit dhe ndërtesat e larta, teksa rrugët e ngushta pengojnë shpërndarjen e ajri dhe kanë ndërprerë “korridoret e ajrimit të qytetit”. Bashkia parashikon të shpenzojë rreth 71.5 mld lekë ose më shumë se 700 mln euro 15 vitet e ardhshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit, por anëtarët e këshillit kritikojnë planin si formal, nëse nuk kufizohet vrulli i ndërtimeve.

Pas vitesh mungese të dhënash ose me të dhëna të pjesshme, Bashkia e Tiranës ka pranuar se ndotja e ajrit në kryeqytet është alarmante dhe përbën kërcënim për shëndetin e qytetarëve.

Matjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe që kanë shërbyer për të hartuar “Planin e veprimit për menaxhimin e cilësisë së ajrit 2026-2040” kanë treguar se niveli i grimcave të pluhurit PM10 dhe PM2.5, dioksidit të azotit, benzenit dhe plumbit është 7 – 8 herë më i lartë se niveli maksimal i lejuar. Për herë të parë në një dokument zyrtar të Bashkisë Tiranë pranohet se një nga faktorët kryesorë për ndotjen e ajrit është urbanizimi pa kriter i qytetit dhe ndërtesat e larta, teksa rrugët e ngushta pengojnë shpërndarjen e ajri dhe kanë ndërprerë “korridoret e ajrimit të qytetit”. Bashkia parashikon të shpenzojë rreth 71.5 mld lekë ose më shumë se 700 mln euro 15 vitet e ardhshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit, por anëtarët e këshillit kritikojnë planin si formal, nëse nuk kufizohet vrulli i ndërtimeve.

Plani, 700 mln euro

Dokumenti zyrtar i bashkisë Tiranë, i miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 12 maj 2026, pranon tejkalime të vazhdueshme me disa herë mbi normat e lejuara të PM10, PM2.5 dhe NO₂.

Sheshi “Mustafa Qemal Ataturk” që më së shumti njihet si “21 Dhjetori”, Rruga e Kavajës, kryqëzimi i “Rruga e Dibrës – Rruga Bardhyl” si dhe sheshi “Karl Topia” ose siç njihet ndryshe “Zogu I Zi” janë zonat me ndotjen më alarmante.

Ilda Zhulali, anëtare e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak thotë se ndotja mund të jetë shumë më e lartë.

“Këto matje nuk përfshijnë stinën e dimrit, kur ndotja arrin kulmin dhe shkon deri në 14 herë mbi maksimalen e lejuar”, – thotë ajo.

E shndërruar në një kantier gjigand ndërtimi, për herë të parë dokumenti pranon se përveç trafikut të rënduar, aktiviteti ndërtimor është ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Tiranë.

“Bashkia Tiranë ka përjetuar rritje të shpejtë të popullsisë, e cila është shoqëruar me ndërtime të reja dhe ka probleme me mbipopullimin, duke sjellë rritje të numrit të makinave që qarkullojnë, menaxhimi i mbeturinave, humbja e hapësirës publike, rrugë të pashtruara dhe të shtruara keq. Infrastruktura e transportit është e një standardi relativisht të varfër dhe jo të mirëmbajtur”, – thuhet në relacionin shoqërues të këtij plan veprimi.

“Rezultatet tregojnë se zonat qendrore të Bashkisë Tiranë janë më të ekspozuara ndaj niveleve të larta të ndotjes, kryesisht për shkak të trafikut intensiv, urbanizimit, ngrohjes me karburante fosile dhe efektit të “korridor urban”, i cili kufizon qarkullimin natyror të ajrit dhe favorizon akumulimin e ndotësve në shtresat e ulëta të atmosferës”, – thuhet në planin e veprimit.

Sipas planit të veprimit “ajri në Tiranë është i ndotur” dhe kërkon ndërhyrje sistematike për reduktimin e ekspozimit të popullatës ndaj ndotësve më të rrezikshëm, veçanërisht grimcave të imëta, dioksidit të azotit, benzenit dhe plumbit, “të cilët paraqesin rreziqe të qarta për shëndetin publik dhe mjedisin urban”.

Për këtë arsye, Bashkia Tiranë parashikon të ndërmarrë një sërë masash në menaxhimin e cilësisë së ajrit, duke nisur që nga kufizimi i qarkullimit në zonat më të ndotura, modernizimi i transportit publik, nxitjes së përdorimit të mjeteve elektrike; kontrollin e burimeve të ngrohjes dhe energjisë; zgjerimi i rrjetit të matjes si dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave dhe publikimi i vazhdueshëm i rezultateve për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetjen e vendimmarrjes në lidhje me cilësinë e ajrit; zgjerimin e infrastrukturës së gjelbër duke rritur sipërfaqeet e gjelbra si dhe integrimin e cilësisë së ajrit në planifikimin urban.

Mirëpo për anëtarët e Këshillit Bashkiak nëse nuk prek modelin e zhvillimit urban që e ka prodhuar krizën, atëherë strategjia rrezikon të mbetet vetëm një menaxhim i pasojave dhe jo zgjidhje reale e problemit.

Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak nga radhët e Lëvizjes “Bashkë” e shikon këtë strategji si një pranim i vonuar i një krize që qytetarët e jetojnë çdo ditë. Sipas saj për vite me radhë u lejua një model zhvillimi që rëndoi trafikun, betonizoi qytetin, zhduku sipërfaqet e gjelbra dhe e ktheu ndërtimin masiv në motorin kryesor të ekonomisë së kryeqytetit, ndaj sot pasojat nuk fshihen dot më. Por ajo është skeptike dhe e sheh këtë lëvizje “si një formalitet për të përmbushur detyrime në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, pa pasur vullnet real për të prekur shkaqet e krizës”.

Sipas saj problemi më i madh i kësaj strategjie është se shmang thelbin e problemit.

“Nuk mjafton të flasësh për autobusë elektrikë, metro, biçikleta apo monitorim të ajrit, ndërkohë që vazhdon i njëjti model agresiv ndërtimi në qytet”, – argumenton Mirela Ruko.

“Mospërfshirja e një mase për ndalimin ose pezullimin e të ndërtimeve të reja minon çdo hallkë tjetër të strategjisë. Nuk mund të pretendosh se po lufton ndotjen, ndërkohë që lejon vazhdimisht shtimin e kullave, betonit, trafikut dhe pluhurit në një qytet që nuk e përballon më këtë ngarkesë”, – sqaron më tej ajo.

Sipas saj, Tirana ka nevojë për masa serioze dhe të guximshme, jo vetëm për ndërhyrje teknike apo fasadë “të gjelbër”.

“Duhet një rivlerësim i plotë i kapaciteteve urbane dhe mjedisore të qytetit, transparencë për ndikimin real të ndërtimeve dhe një debat publik mbi modelin e zhvillimit që po i imponohet Tiranës”, – përfundon Ruko.

Edhe Ilda Zhulali thotë se bashkia parashikon të njëjtin plan masash që ka dështuar deri tani sepse refuzon të bëjë ndërhyrje drastike në burimet e ndotjes.

“Pa një angazhim masiv qytetar, ndotja në Tiranë do të jetë po aq e lartë sa më parë, madje me shumë gjasa edhe më keq”, – thotë Zhulali.

Sipas saj kjo situatë “do të prodhojë më shumë të sëmurë me bronkit kronik, astmë, alergji, sëmundje kardiovaskulare, por edhe probleme të shëndetit mendor, siç pohojnë studimet e fundit që e lidhin rritjen e incidencës së tyre edhe me ndotjen e lartë”.

Ndërkaq, ekspertët e mjedisit e shohin miratimin e këtij plani veprimi si një dokument të mirë për të zgjuar bashkinë dhe për të bërë diçka konkrete për uljen e ndotjes së ajrit.

“Bërja e planit është një hap i rëndësishëm, pasi Tirana bëhet bashkia e parë në Shqipëri që ka një plan për cilësinë e ajrit të miratuar”, – thotë Arion Sauku, ekspert mjedisi.

Duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga bashkia e Tiranës për ndotjen e ajrit, ai thotë që NO2 dhe PM10 janë më problematikët, por ka disa rezerva për rezultatet.

“Është e çuditshme që për pikën tek “rruga e Elbasanit” i kanë dalë matjet brenda normave”, – thotë Sauku, duke pasur në konsideratë se matje të kryera nga organizata të ndryshme mjedisore e kanë nxjerrë këtë segment rrugor mjaft të ndotur.

Sipas tij në plan përmenden projekte dhe ndërhyrje konkrete për përmiresimin e gjendjes dhe uljes së ndotjes, por sfida mbetet tek zbatimi.

 “Ngelet për t’u parë sa do të realizohen sepse çdo rekomandim është një projekt më vete”, – thotë Sauku. “Plani duhet të mos ngelet vetem në letër por të zbatohet në realitet”, – përfundon ai.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.