Nga Valbona Mazreku
Revolucionet industriale nuk ndjekin kalendarë, por vendosin afate. Për Shqipërinë, një nga më të rëndësishmit ka filluar tashmë: Mekanizmi i Tarifës së Karbonit në Kufi (CBAM) i Bashkimit Evropian, i cili hyri në zbatim në fillim të vitit 2026. Si pjesë e Green Deal-it evropian, ky instrument synon të vendosë një çmim të drejtë mbi emetimet e karbonit për mallrat me intensitet të lartë karboni që importohen në BE.
Për industrinë shqiptare, kjo nuk është thjesht një çështje mjedisore. Është një çështje konkurrueshmërie dhe kostoje. Sektorë si çimentoja, çeliku, alumini, plehrat kimike dhe energjia elektrike janë drejtpërdrejt të ekspozuar. Çdo ton mall që eksportohet drejt BE-së do të mbajë një kosto të re: çmimin e karbonit. Dhe, në mungesë të raportimit të verifikuar, kjo kosto do të llogaritet sipas mesatares së BE-së, që zakonisht është më e lartë se realiteti vendas.
Një studim mbi politikat industriale të gjelbra për Ballkanin Perëndimor, i hartuar nga një ekip rajonal dhe i botuar vitin e shkuar nga Instituti GAP me mbështetjen e Open Society Foundations parashtron se çfarë nënkuptojnë këto afate dhe çfarë duhet të bëjnë vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, për t’iu përgjigjur atyre.
Strategjia e dikurshme “zhvillohu tani, pastrohu më vonë” nuk funksionon më. Pyetja nuk është më nëse Shqipëria do të ketë një politikë industriale të gjelbër, por nëse ajo do të jetë e menduar dhe e drejtuar nga vetë vendi, apo do të vijë në mënyrë të fragmentuar nga rregulla të jashtme.
Presioni mbi industrinë
Industria e çimentos, një nga eksportuesit kryesorë të vendit, e ilustron qartë këtë realitet. Edhe pse prodhimi i betonit ka rënë vitet e fundit, nga 1,93 milionë tonë në vitin 2021 në 1,70 milionë tonë në vitin 2024, prodhimi i çimentos mbetet i lartë falë eksporteve. Por, tani, këto eksporte do të përballen me një kosto të re: çdo ton çimentoje që hyn në BE do të vlerësohet për përmbajtjen e karbonit, dhe importuesit do të duhet të blejnë certifikata CBAM.
Këto nuk janë kosto simbolike. Me çmimin e karbonit në tregun evropian që luhatet në 60–80 euro për ton CO₂, ndikimi mbi marzhet e fitimit mund të jetë i ndjeshëm.
Energjia: një avantazh i rrallë
Shqipëria ka një kartë të fortë në dorë, energjinë. Me një sistem elektrik që mbështetet thuajse tërësisht në hidroenergji, vendi ka faktor emetimi praktikisht zero. Ndryshe nga shumë vende të rajonit, eksportet shqiptare të energjisë drejt BE-së nuk mbartin kosto shtesë karboni.
Madje, prodhimi hidro është rritur ndjeshëm: në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 3.27 TWh, një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë. Kjo krijon mundësi reale për eksporte më të larta dhe për pozicionim më të mirë në tregjet rajonale dhe evropiane.
Çfarë ka në dorë Shqipëria?
Struktura ekonomike e vendit ofron disa avantazhe të qarta. Industria përbën rreth një të katërtën e PBB-së, eksportet janë të orientuara drejt BE-së, ndërsa energjia elektrike është thuajse tërësisht e rinovueshme. Për më tepër, eksportet kryesore si: tekstilet, këpucët dhe mineralet, nuk janë ende në fokusin fillestar të CBAM-it.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ekspozimi i Shqipërisë ndaj këtij mekanizmi është më i kufizuar. Por kjo nuk është arsye për vetëkënaqësi, përkundrazi.
Pyetja thelbësore nuk është nëse Shqipëria ndëshkohet sot nga CBAM-i, por nëse ajo do të arrijë të përfitojë nga një rajon që është nën trysni për t’u dekarbonizuar. Autorët evidentojnë mundësi të qarta: deri në 2,500 MW kapacitet shtesë nga energjia e erës dhe 2,000 MW shtesë nga energjia diellore deri në vitin 2030, që do të plotësonin hidroenergjinë ekzistuese; depozita të rëndësishme litiumi, bakri, nikeli dhe kromi, me materiale dytësore të rikuperueshme në mbetjet minerare; Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) tashmë e operacionalizuar me Kosovën; projekte ndërlidhjeje rrjeti me Italinë, Kroacinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut; Qendra Rajonale e Inovacionit e EIT Raw Materials e hapur së fundmi; dhe perspektiva që, falë energjisë së bollshme të pastër, Shqipëria të bëhet destinacion për qendra të dhënash të furnizuara me energji të gjelbër që i shërbejnë industrisë së inteligjencës artificiale.
Potenciali është i dukshëm. Në një botë që kërkon energji të pastër, këto janë avantazhe reale.
Në thelb, problemi nuk është nëse Shqipëria ka më shumë mundësi se shumica e fqinjëve të saj, por rrezikon t’i shpërdorojë.
Çfarë e pengon?
Problemi nuk është mungesa e burimeve, por mënyra si përdoren ato. Produktiviteti i burimeve është 0,455 euro për kilogram materiali të konsumuar, kundrejt mesatares së BE-së prej 1,987 euro që do të thotë se ekonomia shqiptare prodhon rreth një të katërtën e vlerës që prodhon BE-ja nga çdo kilogram materiali të përdorur. Sektori minerar ka depozita të pasura, por infrastrukturë të vjetëruar, investime të pamjaftueshme dhe shqetësime serioze mjedisore nga ekstraktimi joefikas. Ndotja e ajrit në Tiranë dhe Elbasan është një problem me rëndësi për shëndetin publik.
Dominimi i hidroenergjisë është një pikë e fortë në vitet normale dhe një cenueshmëri në vitet me thatësirë; ndryshueshmëria klimatike tashmë po ndikon në prodhimin elektrik. Nga ana sociale, në vitin 2020, 44% deri 59% e familjeve shqiptare me të ardhura të ulëta kishin vonesa në pagesat e faturave të shërbimeve afro tre deri katër herë më shumë se sa norma në BE. Kjo do të thotë se çdo rregullim i çmimit të energjisë do të godiste një popullsi që tashmë është në skaje.
Këto nuk janë argumente kundër tranzicionit. Janë argumente për ta projektuar tranzicionin duke pasur realisht parasysh njerëzit që do të preken prej tij.
Çfarë duhet bërë?
Agjenda e gjelbër për rajonin është tashmë e qartë: vendosja e një çmimi real për karbonin, heqja graduale e subvencioneve për lëndët fosile, forcimi i standardeve mjedisore dhe afrimi më i ngushtë me politikat e Bashkimit Europian. Por tranzicioni nuk mund të jetë vetëm teknologjik apo financiar; ai duhet të jetë edhe social, duke garantuar që fuqia punëtore të ketë aftësitë e nevojshme për ekonominë e re të gjelbër.
Për Shqipërinë, kjo nënkupton hapa konkretë si modernizimi i industrisë minerare, ndërtimi i një sistemi të besueshëm për matjen dhe raportimin e emetimeve, si dhe diversifikimi i prodhimit energjetik përmes zgjerimit të energjisë diellore dhe të erës përkrah hidroenergjisë. Njëkohësisht, vendi duhet të përdorë më strategjikisht potencialin e eksporteve të energjisë dhe të tërheqë investime në industri me emetime të ulëta dhe teknologji të pastra.
Po aq i rëndësishëm është investimi në kapitalin njerëzor. Në Shqipëri, papunësia tek të rinjtë me arsim të lartë u rrit nga 18.6% në vitin 2024 në 22.9% në vitin 2025, çka tregon hendekun mes sistemit arsimor dhe aftësive që kërkon tregu i punës. Kjo do të thotë se tranzicioni i gjelbër nuk mund të mbështetet vetëm tek arsimi formal, por kërkon politika aktive rikualifikimi, formimi profesional dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, sidomos në sektorë si energjia e rinovueshme, eficienca energjetike dhe teknologjitë e pastra.
Përvoja e sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri dhe në rajon tregon se trajnimet praktike, modelet “work-based learning” dhe bashkëpunimi mes biznesit dhe universiteteve mund të krijojnë vende pune me produktivitet më të lartë dhe paga më konkurruese. Një model i ngjashëm mund të aplikohet edhe për ekonominë e gjelbër, përmes krijimit të qendrave lokale të aftësimit, programeve të rikualifikimit për punëtorët në sektorët.
Sfida reale
Sfida më e madhe nuk është teknike, është institucionale. Kërkon bashkërendim mes institucioneve, politika të qëndrueshme financimi dhe një proces vendimmarrjeje që përfshin industrinë dhe shoqërinë. Këtu ndahen vendet që kapin mundësitë nga ato që i humbasin.
Shqipëria ka një avantazh real: energji të pastër, pozicion strategjik dhe potencial të pashfrytëzuar. Por këto nuk mjaftojnë. CBAM-i është realitet.
Muajt dhe vitet në vijim do të përcaktojnë nëse vendi do të ndërtojë një politikë industriale të gjelbër me vizion, apo do të përshtatet me vonesë ndaj rregullave të të tjerëve.