Hub-i i gazit në Vlorë përplaset me objektivat klimatike, organizatat mjedisore kundër marrëveshjes

Lajme, Ngjarje
Nënshkrimi i memorandumit për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshjes për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror ka nxitur reagimin e menjëhershëm të organizatave mjedisore, të cilat e konsiderojnë këtë zhvillim një hap prapa në tranzicionin energjetik të vendit.

Nënshkrimi i memorandumit për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshjes për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror ka hapur një debat të ri mbi drejtimin që po merr tranzicioni energjetik në Shqipëri.

Marrëveshja u firmos më 28 prill në Kryeministri, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve amerikanë, si pjesë e një bashkëpunimi që synon ta pozicionojë Shqipërinë si një nyje energjetike në Ballkanin Perëndimor dhe të rrisë sigurinë energjetike përmes diversifikimit të burimeve.

Sipas qeverisë, zhvillimi i qendrës energjetike të Vlorës është një projekt “shumëkomponentësh” që përfshin infrastrukturën e gazit dhe integrimin në tregjet rajonale të energjisë.

Por ky vizion është kundërshtuar nga Lëvizja për Energjinë dhe Klimën (LEK), një rrjet prej gjashtë organizatash mjedisore, që përmes një deklarate publike e cilësojnë marrëveshjen si një rrezik për mjedisin dhe një devijim nga rruga drejt energjive të pastra.

“Vlora nuk mund të jetë njëkohësisht hub energjetik dhe hub turistik”, – thuhet në deklaratën e organizatave, të cilat paralajmërojnë se zhvillimi i industrisë së gazit rrezikon të dëmtojë një nga zonat me potencialin më të lartë turistik dhe ekologjik në vend.

Nga hidroenergjia, te gazi?

Shqipëria ka ndërtuar modelin e saj energjetik kryesisht mbi hidrocentralet, duke siguruar në vite të mira një pjesë të madhe të prodhimit nga burime të rinovueshme. Megjithatë, ekspozimi ndaj thatësirave dhe ndryshimeve klimatike ka nxitur kërkesën për diversifikim.

Dokumentet strategjike si Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën dhe Kontributi Kombëtar i Përcaktuar (NDC) parashikojnë rritjen e pjesës së energjive të rinovueshme, uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe afrimin gradual me objektivat e Bashkimit Evropian për dekarbonizim.

Në këtë kuadër, Shqipëria synon të reduktojë emetimet dhe të forcojë prodhimin nga burime si dielli dhe era, duke shmangur varësinë afatgjatë nga karburantet fosile.

Pikërisht këtu, sipas organizatave mjedisore, lind kontradikta: investimi në infrastrukturë gazi rrezikon të krijojë një “bllokim” afatgjatë në energjitë fosile, në një kohë kur politikat kombëtare dhe europiane kërkojnë të kundërtën.

TEC-et lundruese, një precedent i debatueshëm

Reagimi i organizatave lidhet edhe me përvojën e fundit në Vlorë, ku janë vendosur dy TEC-e lundruese për prodhimin e energjisë.

Këto impiante janë kundërshtuar vazhdimisht nga aktivistët, të cilët kanë ngritur shqetësime për ndotjen e ajrit dhe ndikimin në ekosistemin bregdetar. Sipas analizave të publikuara më herët, prodhimi i energjisë nga këto struktura kërkon përdorimin e sasive të konsiderueshme të karburantit, duke shtuar presionin mjedisor në zonë.

Për organizatat, zhvillimi i hub-it të gazit nuk është një projekt i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë që po orienton sektorin energjetik drejt burimeve fosile.

Energji apo turizëm?

Vlora konsiderohet një nga zonat me potencialin më të lartë turistik në vend, por edhe me ekosisteme të ndjeshme bregdetare.

Sipas LEK, zhvillimi paralel i industrisë së gazit dhe turizmit është i papajtueshëm në afatgjatë, duke krijuar një konflikt mes modeleve të zhvillimit.

Në fund të deklaratës, organizatat i bëjnë thirrje komunitetit lokal që të kundërshtojë projektet që, sipas tyre, rrezikojnë ta kthejnë Vlorën në një qendër të industrisë fosile, në kundërshtim me objektivat klimatike dhe interesin afatgjatë ekonomik të zonës.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.