Studimi i ri: Uji i Vjosës devijohet në 20 pika, presion mbi rrjedhën natyrore

Ngjarje
Gjetjet e studimit nënvizojnë rëndësinë e forcimit të monitorimit të marrjes së ujit, transparencës në përdorimin e burimeve ujore dhe zbatimit të plotë të kuadrit ligjor për menaxhimin e ujërave, për të siguruar mbrojtjen afatgjatë të lumit Vjosa dhe të ekosistemeve të tij.
Kanali vaditës Vjosë – Levan – Fier

Nga Ola Mitre

Tre vjet pasi lumi Vjosa u shpall Park Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, një studim i ri ngre shqetësime mbi presionin që po ushtron marrja e ujit mbi rrjedhën natyrore të lumit dhe degëve të tij.

Studimi i realizuar nga Save the Blue Heart of Europe, analizon ndërhyrjet që devijojnë ujin nga sistemi lumor për përdorime të ndryshme, kryesisht për vaditje, por edhe për furnizim me ujë dhe aktivitete të tjera ekonomike.

Analiza identifikon 20 ndërhyrje kryesore të marrjes së ujit përgjatë lumit dhe degëve të tij, përfshirë kanale vaditjeje, stacione pompimi, përdorim të ujërave nëntokësore dhe struktura të tjera të lidhura me prodhimin e energjisë.

Sipas studimit, sasia e dokumentuar e ujit të marrë arrin të paktën 12.012 m³/s, ndërsa për disa ndërhyrje mungojnë të dhëna zyrtare mbi sasitë reale të ujit që devijohet.

“Kjo tregon se presioni mbi lumin mund të jetë edhe më i madh nga sa tregojnë të dhënat publike“, – thuhet në deklaratën për shtyp të organizatës Ecoalbania, që publikoi studimin.

Devijimi i ujit përgjatë sistemit lumor

Ndërhyrjet që devijojnë ujin janë identifikuar jo vetëm përgjatë Vjosës, por edhe në disa nga degët kryesore të saj, përfshirë lumenjtë Shushica, Drino dhe Kardhiq.

Në shumë raste uji devijohet përmes kanaleve të vaditjes që e transferojnë atë drejt zonave bujqësore, ndërsa në raste të tjera përdoren stacione pompimi të vendosura pranë shtratit të lumit ose në distanca të afërta prej tij.

Studimi evidenton gjithashtu përdorimin e burimeve natyrore dhe të ujërave nëntokësore të lidhura me sistemin lumor, të cilat mund të ndikojnë në prurjet e përgjithshme të lumit.

Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me situatën gjatë periudhave të thatësirës. Në gusht të vitit 2025, prurja e Vjosës pranë Poçemit ishte rreth 20 m³/s, ndërsa vetëm dy kanale vaditjeje merrnin rreth 9 m³/s. Kjo nënkupton se gjatë periudhave të caktuara të verës mund të devijohet deri në gjysma e rrjedhës së lumit përpara se uji të vazhdojë rrugën drejt detit.

Thirrje për transparencë dhe menaxhim më të fortë të ujit

Organizata EcoAlbania thekson se ndërhyrjet që devijojnë ujin nga rrjedha natyrore tregojnë nevojën për një menaxhim më të fortë dhe më transparent të burimeve ujore në pellgun e Vjosës.

Gjetjet e studimit nënvizojnë rëndësinë e forcimit të monitorimit të marrjes së ujit, transparencës në përdorimin e burimeve ujore dhe zbatimit të plotë të kuadrit ligjor për menaxhimin e ujërave, për të siguruar mbrojtjen afatgjatë të lumit Vjosa dhe të ekosistemeve”, – thuhet në deklaratën për shtyp.

Ndërkaq, studimi rekomandon forcimin e monitorimit të marrjes së ujit në të gjithë pellgun e lumit, si dhe rritjen e transparencës mbi licencat dhe sasitë reale të ujit që përdoren për vaditje, industri apo furnizim me ujë.

Autorët e analizës sugjerojnë gjithashtu që menaxhimi i burimeve ujore të integrohet më ngushtë me menaxhimin e parkut kombëtar, në mënyrë që përdorimi i ujit të mos cenojë funksionimin ekologjik të lumit. Ndër rekomandimet kryesore përfshihet edhe përdorimi i teknologjive moderne të monitorimit, përfshirë analizat satelitore dhe sistemet gjeohapësinore, për të identifikuar dhe ndjekur ndërhyrjet që ndikojnë në rrjedhën e lumenjve.

Ndërkaq, në kushtet kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e thatësirave dhe presionin mbi burimet ujore, një menaxhim më i kujdesshëm i ujit është thelbësor për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të lumit Vjosa dhe të ekosistemeve të tij.