Rritja e investimeve në energjinë diellore po transformon burimet e gjenerimit, por një raport i All Green Centre paralajmëron se ky zhvillim po ndodh shpesh në dëm të mjedisit natyror dhe pa vlerësime të thelluara të ndikimit. Sipas analizës, bashkitë Devoll dhe Kolonjë kanë dhënë me qira dhjetëra hektarë nga fondi pyjor dhe kullosor për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, në mungesë të dokumenteve planifkuese dhe vlerësimeve të duhura të ndikimeve ekologjike.
“Kjo praktikë e re po ndryshon destinacionin e tokës nga natyror në industrial, duke i hequr pyjeve dhe kullotave funksionin e tyre ekologjik”, – thuhet në raport.
Sipas ekspertit të mjedisit Kristi Bashmili, që është dhe një nga autorët e studimit, problemi nuk qëndron tek energjia diellore si teknologji, por tek mënyra e zbatimit të saj.
“Këto janë investime të gjelbra, të cilat në plan të gjerë kanë ndikim mjaft pozitiv, por në aspekt lokal, në aspekt të territorit ku ndërtohen duhet të jemi mjaft të kujdesshëm për këtë lloj sipërmarrjeje, sidomos në bashkitë e vogla që kanë mungesë kapacitetesh për të vlerësuar ndikimet mjedisore që vijnë sipas pasojë e këtyre ndërhyrjeve”, – thotë Bashmili.
“Referuar IUCN-së, që është Organizata kuadër Ndërkombëtare që merret me Mbrojtjen e Natyrës, edhe vetë ata i konsiderojnë si teknologji të reja dhe nuk ka studime të mirëfillta dhe të thelluara përsa i përket ndikimeve afatgjata që këto lloj ndërhyrjesh lenë në zonat natyrore. Pra, është një gjë delikate për të cilën duhet të jemi shumë të matur nga pikëpamja sidomos institucionale, që të mbrojmë mjedisin, të mbrojmë resurset që bashkitë e vogla kanë”, – shton ai.
Raporti i All Green nënvizon se fondet pyjore dhe kullosore janë pasuri me vlera të pazëvendësueshme, që ofrojnë shërbime thelbësore për ekosistemin. Ndërtimi i parqeve fotovoltaike në këto zona mund të sjellë pasoja të pakthyeshme, duke përfshirë fragmentimin e habitateve, uljen e rezistencës klimatike të territorit, kufizimin e aksesit të komuniteteve lokale në burime natyrore dhe rritjen e rrezikut të degradimit të tokës.
“Duke qenë se kërkojnë sipërfaqe relativisht të mëdha për t’u ndërtuar, këtyre sipërfaqe që shpesh herë janë në pllaja apo në zona fushore, iu hiqet ajo që ne themi është shumë e rëndësishme për ushqimin e kafshëve të egra apo dhe shpendëve”, – thotë Bashmili.
“Gjithashtu, gërmimet që ndodhin aty, ngjeshja e tokës, lëvizja e dherave, krijimi i gjithë sheshit të ndërtimit të paneleve është ndikim sa në tokë, sa në ujërat aty pranë, gjithashtu është një ndikim negativ në aspektet e peizazhit të zonës”, – shpjegon më tej eksperti.

Në një prej rasteve të dokumentuara në raportin e All Green Centre, është ai në fshatin Taç të Kolonjës, ku hapja e terrenit për një central fotovoltaik ka çuar në heqjen e mbulesës bimore dhe fragmentim të zonës natyrore. Po ashtu, raporti evindenton se punimet në këtë zonë po kryhen në një njësi strukturore të ndaluar.
“Zhvillimi i centralit fotovoltaik në këtë njësi strukturore paraqet vendimmarrje të diskutueshme. Sipas nenit 83, pika 3 e Rregullores së Planit të Përgjithshëm Vendor, që përcakton nënkategoritë dhe funksionet për këto sisteme, “çdo ndërhyrje është e ndaluar në nënkategorinë N5 – Tokë pa frut pranë sistemit ujor”, – thuhet në raport.
Ekspertët theksojnë se mungesa e një planifikimi të kujdesshëm dhe e një vlerësimi të thelluar të ndikimit në mjedis po e kthen energjinë diellore në një rrezik të ri për natyrën. Ata kërkojnë që çdo projekt i ri energjetik të shoqërohet me Vlerësim të thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Sipas Bashmilit, deri më tani vendimmarrja nuk ka qenë e bazuar mirë në atë se çfarë humbasim nga pikëpamja e resurseve natyrore dhe nuk është bërë mirë vlerësimi social-ekonomik i zonave ku janë ndërtuar.
“Procesi normal i VNM-së, duke qenë një detyrim ligjor është ndërmarrë nga kompanitë dhe në të shumtat e rasteve, për të mos thënë në të gjitha rastet ky është një dokument shoqërues që i vjen këtij procesi, por në asnjë rast nuk shikojmë të ketë ndryshime të projektit kur është parë që ka ndikime të qenësishme në receptorët natyrorë apo edhe në komunitete”, – shprehet Bashmili.
“Pra, shikojmë që dokumenti i VNM-së është bërë si një dokument shoqërues për të legjitimuar këtë lloj zhvillimi. Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndjekin të gjitha hapat e procesit të zhvillimit të VNM-së dhe miratimit të saj më pas”, – thekson ai.
Ndërkaq, edhe raporti i All Green kërkon që energjia e rinovueshme të mos bëhet sinonim i shkatërrimit të natyrës, por të ndërtohet mbi parimin e integritetit mjedisor dhe planifikimit afatgjatë.