A e dini se në Ballkanin Perëndimor intensiteti i karbonit është mbi pesë herë më i lartë se në BE dhe se shumica e familjeve ende mbështeten te qymyri, nafta apo edhe drutë për ngrohje? Kjo varësi jo vetëm e bën rajonin ndër vendet me intesitet të lartë të karbonit në Evropë, por rrit edhe cenueshmërinë ndaj varfërisë energjetike, rreziqeve shëndetësore dhe paqëndrueshmërisë ekonomike. Për ta adresuar këtë, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e lançuar në vitin 2020, përcaktoi një drejtim të qartë: ulje të emetimeve të CO₂, reduktim të varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe kalim drejt energjisë së rinovueshme. Por ka një kusht: pa punonjës të kualifikuar dhe sisteme arsimore moderne, ky tranzicion nuk mund të ketë sukses.
Këtu hyn projekti RESET – Shërbimet e Energjisë së Rinovueshme në Arsim dhe Trajnim. I zbatuar nga Iniciativa për Reformën e Arsimit në Evropën Juglindore (ERI SEE), me mbështetjen e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe i porositur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) në kuadër të partneritetit rajonal për klimën, RESET shërbeu si dimensioni i arsimit dhe aftësive i projektit më të gjerë rajonal Agjenda e Gjelbër: Dekarbonizimi i Sektorit të Energjisë Elektrike në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa Agjenda e Gjelbër për BP përcaktoi drejtimin e përgjithshëm dhe objektivat afatgjata të tranzicionit energjetik, projekti RESET u fokusua te shndërrimi i këtyre ambicieve në realitet në sektorin e arsimit dhe formimit profesional. Duke zhvilluar materiale mësimore, duke forcuar sistemet e arsimit dhe formimit profesional (AFP) dhe duke mbështetur shkollat, mësuesit dhe nxënësit, RESET ndihmoi që tranzicioni drejt energjisë së rinovueshme të mos lidhet vetëm me teknologjitë dhe infrastrukturën e re, por edhe me njerëzit dhe aftësitë që do të formësojnë të ardhmen energjetike të rajonit.
Gjatë dy viteve (2023–2025), ekipi i RESET-it punoi në gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi dhe dorëzoi rezultate konkrete e të qëndrueshme.
Për herë të parë u zhvilluan burime rajonale për dy fusha thelbësore për sektorin e energjisë së rinovueshme – Instalimi dhe Mirëmbajtja e Sistemeve Diellore Fotovoltaike dhe Instalimi dhe Mirëmbajtja e Pajisjeve Elektrike në Parket me Erë. Këto udhëzues praktikë e modernë, me video, ushtrime dhe shembuj të shumtë, të botuara në gjuhën malazeze, shqip, maqedonisht dhe serbisht, janë tashmë në dispozicion të shkollave profesionale dhe qendrave të arsimit për të rritur në të gjithë rajonin.
Në vitin 2025, RESET koordinoi hartimin e Planit të Veprimit Rajonal – Mbështetja e Arsimit dhe Trajnimit për sektorin e Energjisë së Rinovueshme. Ky dokument strategjik u jep ministrive, agjencive dhe institucioneve të tjera një rrugë veprimi për të përafruar aktivitetet e tyre me nevojat e tregut të punës në sektorin e energjisë së rinovueshme, duke siguruar mbështetje efektive për tranzicionin energjetik.
Gjithashtu, përmes dy konferencave rajonale EduEnergy, 12 eventeve kombëtare dhe një fushate të synuar mediatike, RESET bashkoi edukatorë, biznese, politikëbërës dhe publikun e gjerë, duke treguar se karrierat në energjinë e rinovueshme janë jo vetëm të domosdoshme, por edhe tërheqëse, gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor e social, dhe të orientuara drejt së ardhmes.
Nga nisja në Budva në nëntor 2023 deri te Plani përfundimtar i Veprimit në shtator 2025, RESET tregoi se çfarë mund të arrijë bashkëpunimi rajonal: mjete të reja mësimore, një set i përbashkët veprimesh të propozuara dhe ura më të forta mes shkollave dhe tregut të punës.
Por historia nuk mbaron këtu. Qëndrueshmëria e rezultateve të RESET-it varet nga mënyra se si ato çohen përpara: nga mësuesit që sjellin energjinë e rinovueshme në klasë, nga nxënësit që i kthejnë aftësitë e reja në karriera të së ardhmes, dhe nga politikëbërësit që krijojnë kuadrin mbështetës për fuqinë punëtore të së nesërmes.
Hapi i ardhshëm është të ndërtohet mbi këtë bazë: të qëndrohet të lidhur në nivel rajonal, të inkurajohen partneritete më të forta mes shkollave, bizneseve dhe qeverive, të sigurohet që financimet të vazhdojnë të mbështesin arsimin e gjelbër dhe të mbahet tranzicioni gjithëpërfshirës, në mënyrë që askush të mos mbetet pas. Me këto hapa, Ballkani Perëndimor mund të ecë më shpejt drejt një të ardhmeje energjetike të pastër, konkurruese dhe të drejtë dhe secili ka një rol për të luajtur në këtë udhëtim.