Raporti i BB për eficiencën energjetike: Energjia më e lirë dhe më e pastër, ajo që nuk harxhohet

Ngjarje
Sipas Bankës Botërore, investimi në eficiencë energjie nuk ka qenë kurrë më urgjent, veçanërisht në vendet në zhvillim ku kërkesa për energji pritet të rritet me mbi 30% deri në vitin 2050. Ndërkohë që, të dhënat tregojnë se për çdo 1 USD të investuar në efikasitet energjetik, përfitimi ekonomik shkon në 3 - 5 USD.

Banka Botërore ka publikuar së fundmi raportin mbi eficiencën e energjisë, duke theksuar se kursimi është një nga mënyrat më të leverdishme dhe të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë energjetike, për të reduktuar emetimet dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Sipas raportit, për çdo 1 USD të investuar në efikasitet energjetik, përfitimi ekonomik shkon në 3 – 5 USD. Megjithatë, raporti vlerëson se aktualisht më shumë se dy të tretat e energjisë së prodhuar globalisht humbet përpara se të arrijë tek përdoruesi përfundimtar, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Sipas Bankës Botërore, investimi në eficiencë energjie nuk ka qenë kurrë më urgjent, veçanërisht në vendet në zhvillim ku kërkesa për energji pritet të rritet me mbi 30% deri në vitin 2050. Por, “pavarësisht kësaj efikasiteti i energjisë nuk është një përparësi e lartë për shumicën e qeverive, duke përbërë vetëm një pjesë të vogël të investimeve në energji në ekonomitë në zhvillim”. “Vullneti politik dhe politikat mbështetëse janë të pakta. Financimi i pamjaftueshëm dhe informacioni i pabesueshëm gjithashtu pengojnë progresin”, – thuhet ndër të tjera në dokument. “Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta përballen me pengesat më të mprehta për shkak të kostove të larta të kapitalit dhe aksesit në financim, duke e bërë më të vështirë për to që të investojnë në efikasitetin e energjisë”, – shtohet më tej.

Eficienca e energjisë ndihmon në uljen e kostove për qeveritë dhe qytetarët, përmirëson cilësinë e shërbimeve publike si ndriçimi, ngrohja apo transporti, dhe parandalon ndërtimin e kapaciteteve të panevojshme të prodhimit të energjisë.

Raporti nënvizon gjithashtu edhe përfitimet sociale dhe të punësimit. Në vitin 2022, sektori i efikasitetit energjetik përbënte burimin më të madh të punësimit në industrinë globale të energjisë, me afro 11 milionë vende pune, që nga projektimi dhe ndërtimi deri tek instalimi dhe mirëmbajtja.

Por sipas raportit, mungesa e politikave të qarta, investimet e ulëta dhe vëmendja e pamjaftueshme institucionale e pengojnë përhapjen në shkallë të gjerë të masave të eficiencës së energjisë. Për këtë, Banka Botërore propozon një qasje kombëtare me mbështetje ndërkombëtare: krijimin e institucioneve të dedikuara, paketa mbështetëse për sektorin privat, dhe bashkëpunim me institucionet financiare për të nxitur teknologjitë e përballueshme. Në përfundim, raporti thekson se” energjia më e lirë dhe më e pastër është ajo që nuk harxhohet”.