“Tranzicioni drejt energjisë së rinovueshme vendos një ngarkesë të konsiderueshme si në sektorin e arsimit, ashtu dhe në atë të biznesit, ndaj është e nevojshme ndërhyrja në arsim për të adresuar nevojat e tregut”. Kërkesa u bë nga Tina Šarić, drejtoreshë e Iniciativës për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore (ERI SEE), gjatë takimit rajonal me temë “Tranzicioni Energjetik, Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor: Plani i Veprimit në Mbështetje të Arsimit dhe Trajnimit për Sektorin e Energjisë së Rinovueshme”, i zhvilluar së fundmi në Shkup. Takimi mblodhi ekspertë të sektorit të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe energjisë, përfaqësues të ministrive të arsimit dhe AFP-së, agjencive të kualifikimit dhe dhomave të tregtisë, si dhe sektorit të biznesit nga gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Qëllimi kryesor i tij ishte diskutimi dhe miratimi i Planit rajonal të Veprimit në mbështetje të arsimit dhe trajnimit për sektorin e energjisë së rinovueshme me aktivitete të rekomanduara për sektorin r arsimit në mbështetje të tranzicionit energjetik.

“Për t’iu përgjigjur kësaj situate në mënyrë efektive, veprimet arsimore duhet të jenë nga njëra anë të shpejta në përmbushjen e nevojave aktuale, por në të njëjtën kohë të orientuara drejt së ardhmes, duke planifikuar 10, 15 apo edhe 20 vjet përpara, në mënyrë që të përmbushin nevojat në zhvillim të shoqërisë. Në qendër të kësaj përpjekjeje janë mësuesit, të cilët duhet të jenë të pajisur jo vetëm me njohuri të përditësuara në fushën e energjisë së rinovueshme, por edhe me një kuptim të sfidave më të gjera të qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore”, – tha Šarić.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe drafti i Planit Rajonal të Veprimit, i cili është ndërtuar mbi një analizë të angazhimeve të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në fushën e energjisë së rinovueshme, gjendjen e tyre aktuale si dhe rezultatet e një ankete të zhvilluar me mësues nga i gjithë rajoni mbi nevojat e tyre për zhvillim profesional në fushën e qëndrueshmërisë dhe energjisë së pastër.
Sipas Šarić, qëllimi kryesor i Planit të Veprimit rajonal është të përshkruajë disa nga nevojat e sektorit të arsimit në raport me tranzicionin energjetik dhe të identifikojë hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen. Takimi rajonal u organizua nga ERI SEE në bashkëpunim me GIZ, në kuadër të projektit “Shërbimet e Energjisë së Rinovueshme në Arsim dhe Trajnim” si pjesë e një projekti më të madh rajonal të udhëhequr nga GIZ, me titull “Axhenda e Gjelbër: Dekarbonizimi i Sektorit të Energjisë Elektrike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Qëllimi kryesor i tij ishte pikërisht diskutimi dhe miratimi i Planit rajonal të Veprimit në mbështetje të arsimit dhe trajnimit për sektorin e energjisë së rinovueshme me aktivitete të rekomanduara të sektorit të arsimit në mbështetje të tranzicionit të energjisë.