Më 1 korrik, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu landfillin e qytetit të Elbasanit, një nga pikat më të debatueshme për trajtimin e mbetjeve në vend. Flakët u shoqëruan me emetime intensive të gazrave të rrezikshëm dhe grimcave ndotëse, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin publik dhe ndotjen mjedisore në zonën përreth.
Një grup ekspertësh nga organizatat Co-PLAN dhe Milieukontakt u angazhua menjëherë për të monitoruar situatën në terren dhe për të matur përqendrimet e ndotësve në ajër.
Rezultatet paraprake treguan një situatë shqetësuese. Dioksidi i karbonit (CO₂), i cili në nivele të qëndrueshme është rreth 350 pjesë për milion (ppm), u mat në vlera që varionin nga 521 deri në 794 ppm, duke treguar për djegie të pakontrolluar të materialeve organike. Në të njëjtën kohë, u vërejtën përqendrime të larta të metanit (CH₄), me vlera midis 5 dhe 8 ppm, shumë mbi normën natyrore prej 1.8 ppm, duke sinjalizuar dekompozim anaerobik aktiv të mbetjeve dhe potencial për shpërthime të rrezikshme në prani të flakëve.
Ndër ndotësit më shqetësues ishte edhe dioksidi i azotit (NO₂), i cili arriti deri në 331 mikrogram për metër kub (µg/m³), tejkalim i dukshëm i kufirit të lejuar të Bashkimit Europian për ekspozim afatshkurtër (200 µg/m³). Ky përqendrim përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sistemin respirator të njerëzve, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Në të njëjtën kohë, matjet treguan edhe nivele shumë të larta të komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs), të cilat arritën deri në 6,800 µg/m³, shumëfish më të larta se kufijtë e rekomanduar, me pasoja të mundshme toksike dhe kancerogjene.
Për sa i përket grimcave të imëta të ajrit (PM2.5 dhe PM10), ndonëse vlerat e maturave ishin nën kufijtë ditorë të lejuar, pranë një zjarri landfilli edhe këto përqendrime përbëjnë një rrezik të shtuar për shëndetin, veçanërisht për grupet më të ndjeshme.
Por, ngjarja në Elbasan nuk përbën rast të izoluar. Edhe landfilli i Vlorës është përballur në mënyrë të përsëritur me zjarre gjatë viteve të fundit, duke nxjerrë në pah dështimet sistematike në menaxhimin e mbetjeve dhe mungesën e mekanizmave për parandalimin dhe kontrollin efektiv të tyre.
Ekspertët theksojnë domosdoshmërinë për ndërhyrje të menjëhershme në përmirësimin e infrastrukturës së trajtimit të mbetjeve, zbatimin e masave për mbikëqyrjen e cilësisë së ajrit dhe forcimin e kapaciteteve të emergjencave mjedisore, për të shmangur pasoja të ngjashme në të ardhmen.