“Plan masash”, 3 bashkitë ku duhen ndërhyrje për risqet nga klima

Lajme
Rekomandimet u identifikuan pas monitorimit të buxheteve bashkiake, detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore si dhe risqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike, që nxorri në pah se bashkitë akordojnë pak ose aspak fonde për programet që lidhen me mjediisn apo ndryshimet klimatike.

Nga Ervin Postoli

Caktimi i përvitshëm i një fondi të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit”. Ky është një prej rekomandimeve kryesore në raportin e monitorimit “Buxheti i viteve 2022-2024 për ndryshimet kliamtike në bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas”, i hartuar nga organizata All Green Centre. Rekomandimet u identifikuan pas monitorimit të buxheteve bashkiake, detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore si dhe risqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike, që nxorri në pah se bashkitë akordojnë pak ose aspak fonde për programet që lidhen me mjediisn apo ndryshimet klimatike.

Një tjetër rekomandim lidhet me nevojën për caktimin e një fondi të dedikuar edhe për ndërgjegjësimin, edukimin dhe informimin mjedisor në lidhje me natyrën. Ndërkohë që, duke marrë në konsideratë të ardhurat që vijnë nga taksat dhe tarifat që aplikohen në sektorë që kanë lidhje me mjedisin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore, kërkohet “përcaktimi me ligj, që një pjesë e të ardhurave që gjenerohen nga tarifat e shfrytëzimit të natyrës të shkojnë tërësisht në mbrojtje të mjedisit”.

Gjatë analizës u nxorrën të dhëna të sakta në lidhje me të ardhurat që siguronin 3 bashkitë e përfshira në monitorim nga taksa e gjelbërimit, tarifa e ndikimit në mjedis që paguajnë kompanitë e veprave të mëdha ekonomike (hidrocentrale apo gurore), renta minerare apo tarifat që vijnë nga shfrytëzimi i pyjeve dhe kullotave. Gjithashtu, u përfshinë të ardhurat që vijnë nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura, duke qenë se lidhen drejtpërdrejt me ndotjen e mjedisit si dhe transfertat e qeverisë qendrore për sektorë që preken nga ndryshimet klimatike.

Përshembull për vitin 2024 këto të ardhura për Bashkinë Elbasan u përllogaritën në mbi 358 mln lekë, por investimet kapitale që lidheshin drejtpërdrejt me mbrojtjen e mjedisit apo ndryshimet klimatike ishin rreth 245 mijë euro apo 6.9% e të ardhurave nga taksa, tarifa dhe transferta që lidhen me mjedisin dhe sektorë që preken nga ndryshimet klimatike. Situata rezultoi e ngjashme edhe në bashkitë e tjera, duke treguar nevojën për një rishpërndarje më të mirë të të ardhurave që vijnë nga shfrytëzimi i natyrës.

Plan masash

Paralelisht sipas raportit “është e rëndësishme që problematikat mjedisore të lidhura ngushtë me ndryshimet klimatike, të adresohen në mënyrën e duhur dhe të ndërmerren veprime konkrete me zgjidhje të shpejta dhe efikase”, duke sugjeruar një plan masash të nevojshëm që duhet të ndërmerret për të minimizuar efektet negative që vijnë nga ndryshimet klimatike në popullatë.
Përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e eficiencës së kanaleve vaditës, veçanërisht në zonat kodrinore të bashkive, ku nuk është investuar më parë në këtë drejtim, në Njësitë Administrative Hotolosht, Polis, Babje, Shushicë, Labinot Mal, Gracen, Qukës dhe Rrajce, është një prej ndërhyrjeve të sugjeruara.

Po ashtu kërkohet mirëmbajtja dhe maksimizimi i kapaciteteve ujëmbajtës të rezervuarëve artificialë në gjithë territorin e bashkive, ripyllëzimi i sipërfaqeve të shpyllëzuara në njësitë Polis, Stravaj dhe Zavalinë apo pyllëzimi dhe marrja e masave me prita malore për zonat e eroduara, veçanërisht në afërsi të përrenjve malorë dhe në anët e rrugës nacionale Elbasan–Librazhd–Prrenjas. Po ashtu, kërkohet, hartimi dhe miratimi i “Planit të Veprimit për Energjinë dhe Klimën” për të tre bashkitë, si dhe hartimi dhe miratimi i “Planit të Veprimit për Përmirësimin e Cilësisë së Ajrit” në qytetin e Elbasanit.

Projekte prioritare të propozuar në rajonin Elbasan–Librazhd–Prrenjas

Gjithashtu, vëmendje kërkohet në drejtim të nevojës për ndërmarrjen e një fushate të gjerë për informimin e banorëve mbi ndryshimet klimatike dhe masat për përshtatshmërinë. “Në zbatimin e ndërhyrjeve konkrete, duhet të merret në konsideratë përdorimi i zgjidhjeve të bazuara në natyrë. Në këtë mënyrë, kostot mund të jenë të përballueshme për bashkitë dhe masat konsiderohen më të qëndrueshme në plan afatgjatë”, – theksohet në raport, që shoqërohet edhe një hartë që bën evidentimin e saktë të projekteve apo veprimeve prioritare që duhet të ndërmerren. Raporti i Monitorimit të Buxhetit për Ndryshimet Klimatike në Bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas në vitet 2022 -2024 u realizua nga All Green Centre në kuadër të projektit “Budget 4 Balance” me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga IDM Albania në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.