Nga Ervin Postoli
Pasiguri për të investuar dhe punuar në bujqësi, mungesë informacioni për ndryshimet klimatike, si dhe mungesë përshtatshmërie ndaj këtyre ndryshimeve”. Këto janë disa nga shqetësimet e grave dhe vajzave të Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit, të ngritura gjatë disa takimeve konsultative të zhvilluara nga organizata mjedisore All Green Centre, në kuadër të projektit ‘Budget 4 Balance”, me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Projekti ka në fokus monitorimin e buxhetit për ndryshimet klimatike nga bashkitë e këtyre qyteteve në periudhën 2022-2024, ndërsa takimet konsultative me ekspertë të financave vendore dhe mjedisit, kishin si qëllim prezantimin e analizës së buxhetit të 3 bashkive në realizimin e projekteve për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe diskutimin e mbledhjen e mendimeve të grave dhe vajzave të këtyre bashkive.
“Për të kuptuar më mirë situatën në territorin e bashkive të përzgjedhura, përveç analizimit buxhetit, të strategjive dhe planeve në nivel lokal, ne zhvilluam tre takime me gratë dhe vajzat në qendrat e bashkive. Gjatë këtyre takimeve u diskutua gjerësisht mbi çështjen e pasojave të ndryshimeve klimatike dhe përshtatshmërinë ndaj këtyre sfidave. Mbi 50 gra e vajza morën pjesë në takimet konsultative, ku u diskutuan gjetjet paraprake raportit dhe u morën informacionet dhe sugjerimet e pjesëmarrëseve”, – bën me dije Ola Mitre, drejtore ekzekutive e All Green Centre.
Procesi i konsultimit tregoi se mjaft shqetësuese është shfaqja e problematikave nga ndryshimi i klimës, duke veçuar sipërfaqet e mbjella me arrorë që nuk po japin produktivitet dhe shpesh prodhimet janë të një cilësie të dobët, zgjatja e thatësirave në periudhën e verës duke ndjerë nevojën për sasi të shtuar të ujit për vaditje apo shtimi i përmbytjeve të rrugëve dhe tokave në afërsi të lumenjve.
Sektorët e rrezikuar
Sipas All Green Centre ka shumë të dhëna që tregojnë se territori i bashkive Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas cenohet ndjeshëm nga ndryshimet klimatike. Ndikimet negative pritet të ndjehen si pasojë e shtimit të fenomeneve ekstreme të motit, përmbytjet, zjarret dhe erozioni në zonat kodrinore-malore.
“Familjet në këto zona i bazojnë të ardhurat e tyre, kryesisht në sektorë, të cilët janë mjaft të riskuar nga ndryshimet klimatike. Bujqësia, blegtoria dhe mbledhja e frutave dhe bimëve në natyrë janë burime të rëndësishme të të ardhurave familjare. Krahas ekonomive familjare dhe lokale, ndikimet negative do cenojnë në mënyrë direkte gratë dhe vajzat për shkak të shkallës së punësimit të tyre në këta sektorë”, – thotë Mitre.
“Nga ana tjetër, aftësia e bashkisë për të buxhetuar projekte në përballimin e pasojave dhe përshtatjes ndaj ndryshimit të klimës mbetet e ulët. Gjithashtu, përfshirja aktive e grave dhe vajzave në planifikimin dhe monitorimin e buxhetit mbetet çështje për t’u adresuar, sidomos në zonat rurale”, – shton ajo.
Pas konsultimeve të zhvilluara, shqetësimet dhe rekomandimet e dhëna nga gratë dhe vajzat që morën pjesë në takime do të përfshihen në raportin përfundimtar.
“Ne do të prezantojmë raportin edhe në Këshillat Bashkiakë të 3 bashkive çka do të thotë se anëtarët do të kenë mundësi të njihen edhe me shqetësimet reale që kanë qytetarët”, – shprehet Mitre.
“Është e rëndësishme që rekomandimet tona, si dhe të grave e vajzave për rritjen e buxhetit në sektorë që lidhen me ndryshimin e klimës të merren parasysh, pasi reagimi i hershëm do të ulë ndjeshëm efektete negative në të ardhmen e afërt”, – përfundon ajo.