“Buxhetoni për klimën”, kërkesat në Këshillat Bashkiakë të Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit

Lajme, Ngjarje
"Bashkitë e Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit duhet caktojnë çdo vit një fond të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit, si dhe të rrisin investimet në sektorë që lidhen drejtpërdrejt me efektet që vijnë nga ndryshimet klimatike".

Nga Ervin Postoli

Bashkitë e Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit duhet caktojnë çdo vit një fond të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit, si dhe të rrisin investimet në sektorë që lidhen drejtpërdrejt me efektet që vijnë nga ndryshimet klimatike”. Kjo është kërkesa e bërë nga organizata mjedisore All Green Centre në Këshillat Bashkiakë të këtyre qyteteve, bazuar në gjetjet e një Raporti Monitorimi mbi “Buxhetin për ndryshimet klimatike” në këto bashki për vitet 2022 – 2024. Monitorimi i buxheteve bashkiake përgjatë periudhës 3-vjeçare nxorri në pah se shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit nga bashkitë përkatëse janë modeste, ndonëse rajoni është tejet i rrezikuar nga pasojat e ndryshimit të klimës. “Ne evidentuam shpenzimet për aktivitete mbi mbrojtjen mjedisore, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen buxhetore që jepet për programet e monitorimit, administrimit të fondit pyjor dhe kullosor, menaxhimit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit si dhe të mbrojtjes nga zjarri e mbrojtjes civile, si sektorë që lidhen drejtpërdrejt me efektet që vijnë nga ndryshimi i klimës“, – tha drejtorja ekzekutive e organizatës, Ola Mitre, gjatë prezantimit të raportit në Këshillin Bashkiak Elbasan, një muaj përpara miratimit të buxheteve bashkiake për vitin 2025.

“Rezultatet treguan se përgjigja e bashkisë tuaj dhe bashkive të tjera fqinje, ndaj ndryshimeve klimatike, apo përshtatshmërisë ndaj këtyre ndryshimeve, është e vakët”, – shtoi ajo, duke theksuar se edhe ato pak fonde në dispozicion shkojnë kryesisht për paga dhe shpenzime operative.

Gjatë prezantimit, eksperti i mjedisit dhe klimës Kristi Bashmili tha se “territori i rajonit Elbasan – Librazhd – Prrenjas konsiderohet mjaft i kërcënuar nga ndryshimet klimatike, veçanërisht sektori bujqësor, energjetik, biodiversiteti dhe pylltaria, me ndikim direkt në popullatë”.

Rritja e temperaturave, ulja e sasisë së reshjeve dhe shtimi i fenomeneve ekstreme të motit do të jenë pasojat konkrete të ndryshimeve klimatike në territorin e bashkive”, – u shpreh ai.

Gjatë prezantimeve u theksua se raporti i hartuar përmban një sërë rekomandimesh si dhe një plan masash konkrete, që duhet të merren në konsideratë për të zbutur efektet negative për banorër e këtyre zonave. Raporti i Monitorimit të Buxhetit për Ndryshimet Klimatike në Bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas në vitet 2022 -2024 u realizua nga All Green Centre në kuadër të projektit “Budget 4 Balance” me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga IDM Albania në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Prezantimi i raportit të monitorimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak Elbasan
Prezantimi i raportit të monitorimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak Elbasan
Prezantimi i raportit të monitorimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak Librazhd
Prezantimi i raportit të monitorimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak Prrenjas