Breshëri i pazakontë shkatërron prodhimin e fermerëve në Kolonjë  

Lajme
Fenomenet ekstreme të motit janë bërë më të shpeshta, si pasojë e ndryshimeve klimatike, teksa banorët tregojnë se stuhia e qershorit shkaktoi dëme të shumta në bujqësi.

Vasil Qirici, banor i fshatit Rehovë në Bashkinë e Kolonjës, merret me kultivimin e disa varieteteve të mollës. Thuajse një dekadë më parë ai bëri zëvendësimin e fidanëve, duke u orientuar tek varietetet që kërkohen më shumë në treg. Por, ndërsa ishte shpresëplotë për prodhimin e mbarë që priste të merrte këtë vit, mjaftoi vetëm një stuhi breshëri për t’i shkatërruar atij dhe shumë fermerëve të tjerë punën e gjithë vitit.

“Kam gati 80 rrënjë mollë gold, eurogold she starkinkë. Kam gati 13 vjet që kam këto mollë, pasi e kam ndryshuar bahçen dhe i kam zëvendësuar me varietetet e reja që kanë dalë. Megjithatë unë sivjet i kisha shumë mirë mollët,më kishin në një syth 4-5 kokrra dhe i tarra (rallova), i lashë nga 2-3 kokrra. I kam spërkatur edhe me ilaçe kundër mykut, insekteve dhe krimbit të mollës. Ua bëmë shërbimet mirëpo natyra bën çudira”, – shprehet Vasili.

Fenomenet ekstreme të motit janë bërë më të shpeshta, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Stuhia e pazakontë e breshërit, në javën e tretë të qershorit, preku më së shumti fshatrat Rehovë, Starje dhe Prodan në Bashkinë e Kolonjës. Ndërkohë që, Vasili tregon se stuhia e breshërit zgjati një orë, duke shkaktuar dëme të shumta në bujqësi.

“Rrymat e ftohta krijuan kondensimin dhe breshërin, që na zuri ne në periferinë e Rehovës. Breshëri ishte sa një kokërr arre, por bëri shumë dëme në fshat në të gjitha kopshtet, rrushtë, hardhitë, dardhat, kumbullat, mollën e goditi dhe krijoi një farë plage në mollë, por nuk i rrëzoi. Shpresoj që edhe mund ta kalojnë, kurse kopshtet të gjitha i rrëzoi” – shprehet fermeri.

Rrjetat e breshërit mbeten një prej zgjidhjeve kryesore për të mbrojtur sidomos sektorin e pemtarisë nga fenomenet natyrore, por kjo alternativë për fermerët është thuajse e pamundur. Vasili pohon se për ekonomitë fermere vendosja e rrjetave të breshërit është investim i pamundur, ndërsa politikat e institucioneve përgjegjëse mungojnë.

” Nuk kemi rrjeta sepse bujqësia këtu nuk para punohet. Që nga kooperativa që u shkëputën, bujqësia ka marrë formë individuale. Duhet të krijohen shoqëritë private, pasi individ, pa lekë, pa gjë nuk ke si e bën”, – thotë Vasili.

“Mund të krijohet edhe mundësia nga shteti që t’i bëjmë. Unë kam 14 dynym që rri ashtu, ka zënë bar sepse po të investojë edhe shteti të garantojë prodhimin ne krijojmë si fshat një shoqëri private dhe rritet investimi dhe fitimi”- shton më tej ai.

Nevojat e papërfillura të fermerëve i kanë bërë ata të dorëzohen përballë braktisjes institucionale.

“Ne nuk i mbulojmë dot shpenzimet që nevojiten për rrjetat me të ardhurat tona. Aq e kemi forcën, e mira është që t’ua bëjmë por nuk arrijmë dot. Shteti është baza, është kryesorja. Shteti po të dojë i ndryshon dhe i bën si duhet të gjitha gjërat por varet si e ka fuqinë shteti, varet ku e ka drejtimin, ku mund të shkojë më shumë”, – thotë Vasili.

Qarku i Korçës është një prej prodhuesve më të mëdhenj të vendit, por sektori i bujqësisë mbetet i ekspozuar përballë efekteve negative të ndryshimeve klimatike. Më herët, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë, Vullnet Gjolla pohoi për “EkoSkaner” se vetëm 4% e pemtoreve kanë rrjeta antibreshër, ndërsa në kushtet e mungesës së skemave mbështetëse, specialistët e bujqësisë detyrohen të bëjnë vetëm këshillime për fermerët. Ai shtoi se kanë kërkuar pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të krijohet një skemë mbështetjeve për financimin e rrjetave antibreshër, por deri më tani nuk ka një vendim të tillë.

Dëmet e shkaktuara nga breshëri
Dëmet e shkaktuara nga breshëri
Breshëri në fshatin Rehovë, Kolonjë
Dëmet e shkaktuara nga breshëri
Breshëri në fshatin Rehovë, Kolonjë