Shqipëria, e fundit në Evropë për gatishmërinë ndaj ndryshimeve të klimës

Lajme
Vendi ynë rezulton me përgatitjen më të ulët në Evropë përballë rreziqeve që vijnë nga përmbytjet, zjarret, thatësirat apo fenomenet e tjera ekstreme të motit, sipas Indeksit të Universitetit të Notre Damme, Paris.

Ndryshimet klimatike kërcënojnë ekonominë shqiptare, teksa vendi ynë rezulton me gatishmërinë më të ulët në Evropë përballë rreziqeve që vijnë nga përmbytjet, zjarret, thatësirat apo fenomenet e tjera ekstreme të motit.

Janë një sërë raportesh, që evidentojnë sesa vulnerabël është ekonomia shqiptare për shkak të efekteve negative që sjellin ndryshimet e klimës në disa sektorë. Në projeksionet më të fundit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rritjen ekonomike në vendin tonë, parashtrohen edhe rreziqet nga të cilat mund të preket ekonomia e vendit. Sipas raportit, rritja ekonomike në Shqipëri mund të cenohet nga thatësirat e mundshme që ndikojnë negativisht në prodhimin bujqësor dhe furnizimin me energji elektrike, me një rrezik të konsiderueshëm të rënies ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke pasur parasysh kontributin relativisht të madh të bujqësisë në vendin tonë.

Edhe në raporte të tjera paraqitet qartë varësia që ka Shqipëria nga këta sektorë. Sipas Agjencisë së Vlerësimit të Kreditit, Moody`s, ekonomia dhe financiat shqiptare janë të varura nga 3 sektorë: bujqësia, turizmi dhe energjia. Çdo ngadalësim në njërin prej këtyre sektorëve do të sillte ngadalësim të ekonomisë në tërësi si dhe përkeqësim të financave publike, e për rrjedhojë edhe të notës së vlerësimit të borxhit sovran. Pa marrë parasysh këtu faktin që në sektorin e bujqësisë ka një numër të konsiderueshëm të forcës së punës. Përveç këtyre rreziqeve, dëmet mesatare vjetore në infrastrukturë që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, sikurse janë përmbytjet, tërmetet apo rrëshqitjet po bëhen gjithmonë e më shqetësuese për rrjetin rrugor dhe urat.

Por, përballë shqetësimeve në rritje vendi ynë është më i pambrojturi në Evropë. Në këtë konkluzion ka arritur Universiteti i Notre Damme, i cili ka kryer një prej studimeve më serioze dhe të thelluara në këtë drejtim, duke renditur 192 shtete të botës për nga gatishmëria dhe rreziku i secilit shtet ndaj ndryshimeve të klimës.

Shqipëria renditet e 80-ta në botë në indeksin e përgjithshëm, ndërsa mban vendin e fundit ndër 44 vendet e kontinentit evropian. Ndërkohë, sa i përket vulnerabilitetit ndaj ndryshimeve klimatike, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë, duke qënë më e rrezikuara në Evropë, pas Serbisë. Sa i përket gatishmërisë ndaj rrezikut, zbresim akoma më poshtë, në vend të 88-të, duke lënë pas në kontinettn evropian vetëm Bosnje – Hercegovinën. Pra, sipas këtij indeksi duket se Shqipëria është e papërgatitur për ndryshimeve klimatike dhe vulnerabël ndaj fenomenit, duke reflektuar si cenueshmërinë ashtu edhe gatishmërinë. Indeksi i Universitetit të Notre Damme synon të ndihmojë qeveritë, bizneset dhe komunitetet për t’i dhënë më mirë prioritet investimeve për një përgjigje më efikase ndaj sfidave të menjëhershme globale që na presin.