“Targetet e klimës për anëtarësim në BE, shembullin ta japin godinat publike” – Flet Rezart Kapedani  

Intervista
Politikat e eficiencës së energjisë janë të domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa shembulli duhet të vijë nga sektori publik, duke zbatuar detyrimet ligjore për rinovimin e stokut të godinave në masën 3% në vit.

“Politikat e eficiencës së energjisë në kuadër të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike janë të domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria aspiron të bëjë pjesë”. Në këtë intervistë dhënë për “EkoSkaner”, Rezart Kapedani nga Programi për Mbështetjen e Negociatave të Shqipërisë në Mjedis, kapitulli 27 (SANE 27) shpjegon rëndësinë që ka përmbushja e targeteve të energjisë dhe klimës në drejtim të performancës së Shqipërisë, si vend që dëshiron të anëtarësohet në BE.  Në këtë kuadër ai thekson se godinat publike duhet të kthehen në shembull, duke zbatuar detyrimet ligjore për rinovimin e stokut të tyre në masën 3% në vit.

Z. Kapedani, cilat janë disa nga detyrimet që ka Shqipëria në drejtim të eficiencës së energjisë, në këndvështrimin e anëtarësimit në BE?

Duke qenë se Shqipëria është në fazën e negociatave me Bashkmin Evropian dhe vetë BE e ka gjithmonë e më shumë vëmendjen te ndryshimet klimatike, një nga pjesët që ndikojnë në ndryshimet klimatike është edhe sektori i energjisë, që është një sektor shumë i madh. Në detyrimet që ka një nga rregulloret e reja që ka nxjerrë BE (Rregullore për qeverisjen e BE për ndryshimet klimatike) është detyrim edhe për vende si ne përgatitja e një Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, të cilën ne e kemi miratuar në vitin 2019. Ky plan kombëtar, në standardet që kërkon BE ka disa shtylla, mes të cilave edhe ajo për eficiencën e energjisë, në të cilën kërkohen të vendosen target-et e ndryshme për secilin nga vendet për t’u arritur në një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Ne, në fakt edhe përpara këtij plani kemi patur një ligj “Për eficiencën e energjisë” dhe kemi patur një Plan Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, që ka patur disa targete që duhet thënë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në BE vijnë gjithmonë e në rritje. Kjo, duke qenë se kërkohet gjithmonë e më shumë rritje e eficiencës së energjisë, pra konsumi sa më i vogël i energjisë. Targeti ka qenë rreth 12.3% sipas planit, por siç iu thashë këto targete do vijojnë të rriten edhe më shumë.

Këto targete janë të detyrueshëm për vendet që synojnë anëtarësimin në BE?

Po, patjetër. Vetëm duhet theksuar se Shqipëria nuk është vetëm pjesë e negociatave me BE-në, por është edhe anëtare e Komunitetit të Energjisë. Ky sekretariat, që përfshin edhe gjithë vendet e Ballkanit ka monitorim të vazhdueshëm mbi shumë targete, një prej të cilëve është edhe ky i eficiencës së energjisë, për të arritur ato përqindje të cilat janë caktuar dhe Shqipëria ka marrë detyrimet e saj.

Cilat janë disa nga hapat që duhet të ndërmerren për të arritur këto targete?

Ligji “Për eficiencën e energjisë” ka vendosur disa fusha në të cilat duhet të arrihet kjo eficiencë energjie. Ka disa sektorë për të cilët duhet të merren masa dhe të bëhen investime sepse dihet që për të gjitha këto kërkohen investime. Këtu përfshihen sektorë të ndryshëm të ekonomisë, siç është transporti, por edhe pjesa e ndërtesave për të ulur konsumin e energjisë, pasi shumë prej tyre janë ndërtuar kohë më parë. Në fazën që ne jemi, për ndërtesat ajo që njerëzit njohin më shumë është ajo që quhet sistem kapot, që shërben për të ulur shpenzimet dhe mbajtjen e ngrohjes apo ftohjes brenda ambienteve të këtyre ndërtesave. Por, duhet përmendur që në BE ka gjithmonë e më shumë targete për ndërtesa që quhet afër “zero” energji, që do të thotë që të bëhen investime akoma më të thella të ndërtesave, ku shkarkimet që lindin nga ky sektor, që është goxha i rëndësishëm në pjesën e shkarkimeve të gazeve serrë, të jenë gjithmonë e më të vogla.

Dhe në fakt, në këtë kuadër Shqipëria ka miratuar një ligj, që detyron ndërtimet e reja të paktën nga viti 2021 t’i përmbushin këto detyrime dhe të jenë me eficiencë energjie. Por, ndërkohë si e shikoni pjesën e godinave publike, duke qenë se ka disa parashikime ligjore edhe në këtë drejtim?

Pjesa e ndërtesave publike, ka qenë gjithmonë edhe nga direktivat e BE-së, ajo që quhet një model, një shembull. Siç e dimë të gjithë, ndërhyrjet për të patur ndërtesa me eficiencë energjie kërkojnë gjithmonë disa kosto, që do të thotë shpesh janë nga këto lloj ndërhyrjesh, për të cilat ti ke një investim fillestar, për të cilin pastaj gjithmonë e më vonë e ke përfitimin prej saj. Edhe në vendet e BE ishte menduar që nga stoku i ndërtesave publike të jetë nga 2% në vit, ndërsa në ligjin tonë është 3% në vit nga ndërtesat qeveritare, të cilat duhen rinovuar për të arritur në këtë ulje të konsumit të energjisë.

Ka penalitete Shqipëria për anëtarësimin në BE, nëse nuk përmbushen detyrimet për eficiencën e energjisë dhe ndryshimet klimatike?

Nuk mund të themi që janë penalitete financiare, por gjithmonë e më shumë ato do të quhen si mbetje mbrapa e performancës që Shqipëria ka në përmbushjen e targeteve të energjisë dhe klimës. Këtu rrjedhin shumë, jo penalitete, por që do të ngrihet gjithmonë e më shumë pjesa e kërkesave për ta rritur. Të jemi të qartë që ne kemi targete që vijnë në 2020-ën, 2030-ën, 2050-ën dhe arritja e tyre duhet të bëhet gradualisht se nuk mund të arrijmë brenda 2 apo 3 viteve gjithë këtë 2% apo 3% përqindësh që thashë përpara apo këtë stok të ri ndërtesash që ta rinovojmë shpejt.

Një rekomandim të fundit për institucionet?

Mendoj që pjesa rregullatore, legjislative po rregullohet gjithmonë e më shumë, por duhet vënë theksi te pjesa e zbatimit. Këto janë ndërhyrje, që kërkojnë investime dhe investimet duhet të fillojnë kryesisht nga qeveria e më pas të ndiqen nga pjesa e privatit. Në gjithë vendet e Bashkimit Evropian kështu ka ecur: Është nisur me shtetërorin, për të treguar benefitet dhe pastaj duhet ta ndjekin privatët.