Centralet diellore të KESH, prej vitesh mbeten në letër

Analiza
Projektet për ndërtimin e centraleve diellore në Belsh dhe Vaun e Dejës, të prezantuar shumë vite më parë, vijojnë të mbeten në letër, pavarësisht rëndësisë që ka investimi në energji diellore, si masë ndaj ndryshimeve klimatike.

Projektet e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që synojnë diversifikimin e burimeve të rinovueshme të prodhimit të energjisë, prej vitesh kanë mbetur në letër, duke e lënë sektorin të varur nga kushtet hidrike. Kompania publike e gjenerimit të energjisë zotëron dhe operon tre hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, që janë ndërtuar gjatë periudhës komuniste. Ndërsa, që prej asaj kohe i vetmi investim i KESH në shtimin e aseteve gjeneruese dhe uljen e varësisë nga uji mbetet një impiant diellor prej 5.14 MWp, i pozicionuar në digën e Qyrsaqit, në Vaun e Dejës.

Sektroi elektroenergjetik është një nga më të rrezikuarit nga ndryshimet klimatike. Ndryshimi i regjimit të reshjeve prek drejtpërdrejt prodhimin e energjisë dhe për këtë arsye investimi në burime të tjera të prodhimit të energjisë, sikurse është dielli konsiderohet nga ekspertët si domosdoshmëri. Shqetësimi pranohet edhe nga vetë KESH, që deklaron se “risku i lartë hidrologjik, për shkak të natyrës së burimeve të prodhimit të energjisë elektrike si dhe nevojës për import të përvitshëm, jo vetëm që cenon sigurinë e sistemit, por gjithashtu edhe atë të furnizimit për shkak të kostove që i shkaktohen sektorit dhe për rrjedhojë konsumatorit fundor”.

Por, pavarësisht rëndësisë që ka investimi në energji diellore, 2 projekte për ndërtimin e centraleve diellore në Belsh dhe Vaun e Dejës, të prezantuar shumë vite më parë, vijojnë të mbeten në letër. Ndërkohë që, era si burim i rinovueshëm energjie, është tërësisht e “paeksploruar” nga KESH.

Projektet për centrale diellore

Një prej projekteve është ndërtimi i një centrali diellor 50 MWp në zonën e Belshit. Ai u kategorizua B në përputhje me Politikën Mjedisore dhe Sociale të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim qysh në vitin 2019, por një studim i duhur mjedisor dhe social i projektit u ndërmor në shtator 2023. Përgatitja e projektit pritet të zgjasë dy vjet nga shtatori 2023, duke sugjeruar që hartimi i tij nuk do të jetë gati përpara vjeshtës së vitit 2025. Gjithsesi, për t’u finalizuar dhe për të hyrë në prodhim do të nevojiten rreth 12 muaj të tjerë, pas nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve të nevojshme dhe marrjes së lejeve/autorizimeve.

Edhe financimi për ndërtimin e kësaj vepre energjetike nuk është siguruar ende. Centrali ka një kosto totale prej 40 mln euro, ndërkohë që 30 mln euro parashikohet të financohen përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Aprovimi parashikohet të bëhet në korrik të këtij viti. Pjesa tjetër e projektit pritet të financohet përmes një granti prej 8 milionë euro nga Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ndërsa 2 mln euro nga KESH.

Projekti tjetër i KESH përfshin ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës. Impianti do të pozicionohet në rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe parashikohet të ketë një kapacitet të instaluar 13.8 MWp. Për zhvillimin e këtij projekti në mars të vitit 2021 u krijua shoqëria “SENA Solar Energy of Albania”. Kjo shoqëri u krijua në kuadër të marrëveshjes së financimit për ndërtimin e këtij impianti lundrues, ndërmjet KESH dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.  Gjithsesi, aplikimi për ndërtimin e impianti fotovoltaik lundrues u dorëzua pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, vetëm pak javë më parë apo 3 vite nga themelimi i shoqërisë. Edhe për këtë impaint nuk ka një datë se kur mund të hyjë në operim.

Finalizimi i këtyre projekteve do të ndihmonte edhe në arritjen e objektivave të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Energjisë dhe Strategjinë për Eficiencën. Ndërkohë që, vetë KESH pranon se “kombinimi i prodhimit të energjisë elektrike nga dy burime të rinovueshme, siç janë dielli edhe uji është një mundësi shumë e mirë për të garantuar rritjen e eficiencës në prodhim dhe për të rritur sigurinë e furnizimit të vendit me energji elektrike”.

Vendndodhja e projektit të centralit diellor në Belsh