“Tubi i firmave”, peticioni i pazakontë për ujësjellësin që kërcënon lumin Vjosa

Ngjarje
Banorët e zonës së Shushicës "dorëzuan" në kryeministri peticionin që kërkon ndalimin e marrjes së ujit nga Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa.

Një përfaqësi e banorëve nga zona e lumit të Shushicës dhe të tjerë nga Vlora dhe luginën Vjosës udhëtuan drejt Tiranës për t’i dorëzuar një peticion të pazakontë kryeministrit Edi Rama: një tub blu i gdhendur nga 1,500 firma – i njëjtë me ata që po kërcënojnë rajonin e tyre dhe një pjesë të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Rreth 1,500 banorë nga 37 fshatra të zonës janë bashkuar me një deklaratë kundër projektit për marrjen e ujit nga lumi i Shushicës. Firmat e tyre, tashmë mbulojnë tubin blu, që simbolizon zërin e tyre kolektiv. Për më shumë se dy javë, ky tub ka udhëtuar përmes zemrës së luginës, duke kaluar në Kuç, Brataj, Kotë, Peshkëpi, Tërbaç, Vranisht, Kallarat, Mesaplik, Lepenicë, Gjorm, Selenicë, dhe më shumë. Me çdo ndalesë, janë shtuar më shumë firma, duke i kërkuar kryeministrit të ndalojë projektin.

“Kemi ardhur në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë. Ne nuk duam që ky projekt të zbatohet. Fshati ynë dhe fshatrat e tjerë, do të preken nga devijimi i burimit të Lepushës. Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar dhe duhet të mbrohet”, – thotë Astrit Balilaj, nga fshati Kuç.

Tubat blu janë simbol i projektit shkatërrues. Për 6 muajt e fundit, kompania Austriake STRABAG i ka vendosur këto tuba për të devijuar ujin e burimit të Shushicës në bregdetin Jonian, duke synuar përmbushjen e kërkesave të turizmit masiv.

“Të ndalohen punimet menjëherë. Ky projekt do të shkatërrojë një zonë të tërë! Do të lërë fshatrat, blegtorinë dhe tokat pa ujë. Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë dhe jemi të vendosur ta bllokojmë punimet nëse se zëri ynë nuk dëgjohet. Ne nuk jemi kundër që të marrë ujë Himara, por si pjesë e Parkut Kombëtar nuk mund ta lejojmë këtë t’i ndodhë Shushicës”, – thotë Lela Qejvani, një aktiviste lokale.

Shushica është një nga degët kryesore të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa – me një biodiversitet shumë të pasur. “Ky projekt devijimi nuk është vetëm shkatërrues, por edhe i panevojshëm. Ka mjaft burime alternative uji jashtë kufijve të Parkut Kombëtar për të përmbushur nevojat e Himarës. Bashkë me banorët e Shushicës, ne po kundërshtojmë edhe ligjërisht këtë projekt në Gjykatën Administrative në Tiranë”, – thotë Olsi Nika nga EcoAlbania.

“Në qoftë se ky projekt vazhdon, Shushica – ose një pjesë e madhe e saj – do të humbasë statusin Park Kombëtar. Kjo do të ishte një humbje e konsiderueshme për natyrën dhe komunitetet lokale, të cilat do të humbasin përfitimet që vijnë nga zhvillimi i eko-turizmit në Parkun Kombëtar. Përfundimisht, kjo është një zgjedhje midis ekoturizmit dhe dorëzimit drejt turizmit masiv”, – thotë Ulrich Eichelmann nga Riverëatch.

“Lumi i Vjosës u shpall Park Kombëtar, jo vetëm për të mbrojtur degën kryesore, por edhe për të ruajtur një ekosistem lumor të paprekur dhe të gjallë, nga i cili Shushica është një komponent shumë i rëndësishëm. Marrja e ujit nga Shushica do të përbëjë një kërcënim të madh për integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, – thotë Annette Spangenberg, nga EuroNatur.

Më herët, një investigim i “EkoSkaner” nxorri në pah se projekti i ujësjellësit bie është miratuar duke anashkaluar procesin e konsultimit publik, që është detryim ligjor. Ndërkohë që, sasia e ujit që do të merret nga burimi është më e lartë se mesatarja vjetore, çka sugjeron se gjatë muajve të verës, kur nevoja për vaditje është më e madhe, do të sjellë tharjen e plotë të lumit.