Albcontrol hap tenderin për aeroportin e Vlorës, pavarësisht thirrjeve për ndalim punimesh

Ngjarje
Pavarësisht se Konventa e Bernës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë - Nartë, institucionet po avancojnë me procedurat për vënien në funksion të tij.

Albcontrol ka hapur tenderin për kërkimin e një konsulenti që do të kryejë zgjerimin dhe rikonfigurimin e sistemit ekzistues të ATM-së për mbështetjen e shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror. Procedura tenderuese me fond limit 274 mln lekë përfshin furnizimin, instalimin dhe vënien në punë të sektorit të ri të kontrollit të trafikut ajror në këtë aeroport, që sipas qeverisë do të përfundojë ndërtimin në fund të këtij viti.

Punimet në aeroportin e Vlorës nisën në datën 28 nëntor të vitit 2021, përmes një kontrate koncesionare 35-vjeçare. Aktualisht kontrata zotërohet në masën 98% nga kompania Mabco Constructions e biznesmenit Behgjet Pacolli, ndërsa 2% e aksioneve mbahen nga kompania A2 Group.

Sipas një investigimi të mëparshëm të “EkoSkaner” punimet nisën pa Deklaratë Mjedisore dhe leje ndërtimi.

Fillimisht, konventa i bëri thirrje qeverisë shqiptare të rishikonte planet për ndërtimin e aeroportit të pozicionuar në Peizazhin e Mbrojtur “Vjosë-Nartë”, teksa ndante shqetësimin e thellë në lidhje me planet për urbanizimin e zonës, duke theksuar vlerat e njohura natyrore. Ndërkohë që, përpara se të kërkonte ndalimin e punimeve, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës dërgoi një mision të posaçëm në terren për të vlerësuar situatën.

Konventa e Bernës është Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore Evropiane, një instrument i Këshillit të Evropës. Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë në janar të vitit 1999 dhe zbatimi ka hyrë në fuqi në maj të po atij viti. Dhunimi i kësaj konvente mund ta përballë vendin me presion dimplomatik si dhe me sanksione të ndryshme që mund të ndërmerren nga Bashkimi Evropian apo në mënyrë të njëanshme nga vende të tjera që e kanë ratifikuar.