96 organizata kërkojnë moratorium për investimet në zonat e mbrojtura

Ngjarje
96 organizata të shoqërisë civile kërkojnë vendosjen e moratoriumit për investimet në zonat e mbrojtura. Në një letër drejtuar Kuvendit kërkohet gjithashtu shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin "Për zonat e mbrojtura", që sipas tyre po rrezikojnë natyrën dhe integrimin evropian.

Nga Ola Mitre

Në një kohë kur Pishë Poro-Narta është kthyer në simbol të debatit mes zhvillimit turistik dhe mbrojtjes së natyrës, ndërsa Bashkimi Evropian po kërkon forcimin e mbrojtjes së zonave natyrore si kusht për integrimin, 96 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga Kuvendi rishikimin urgjent të politikave për zonat e mbrojtura.

letrën e depozituar në Kuvend, organizatat kujtojnë se edhe në vitin 2024 kishin kundërshtuar ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, por pavarësisht komenteve dhe paralajmërimeve të tyre, Parlamenti miratoi ndryshimet që lejuan zhvillimin e investimeve strategjike brenda kategorive të caktuara të zonave të mbrojtura.

Sipas organizatave, ngjarjet që po zhvillohen sot në Pishë Poro-Nartë po konfirmojnë shqetësimet e ngritura dy vite më parë.

“Ndryshimet e futura në ligjin ‘Për zonat e mbrojtura’ po i hapin rrugë jo vetëm dëmtimit të tyre, por edhe mungesës së transparencës në vendimmarrje, anashkalimit të strukturave vendimmarrëse mjedisore dhe dhunës ndaj qytetarëve”, – thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit.

“Moratorium për zhvillimet e reja”

Një nga pika më e forta të kërkesës lidhet me vendosjen e një moratoriumi të përkohshëm për investimet e reja në zonat e mbrojtura.

Organizatat kërkojnë ndalimin e dhënies së lejeve për zhvillime të reja turistike dhe infrastrukturore në zonat e mbrojtura deri në momentin kur legjislacioni shqiptar të harmonizohet plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian dhe ato ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.

Krahas moratoriumit, ato kërkojnë shfuqizimin e dispozitave të miratuara me ligjin nr. 21/2024, nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për përafrimin e ligjit me standardet evropiane, si dhe rikthimin e garancive për pjesëmarrjen publike dhe transparencën në vendimmarrjen mjedisore.

Paralajmërimi për integrimin evropian

Kërkesa e organizatave vjen vetëm pak ditë pasi dokumente të Komisionit Evropian, të siguruara nga EkoSkaner, treguan se menaxhimi i zonave të mbrojtura dhe ngritja e rrjetit Natura 2000 janë tashmë pjesë e kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në dokumentet e negociatave për Kapitullin 27, Shqipërisë i kërkohet të propozojë zonat Natura 2000, të harmonizojë plotësisht legjislacionin me Direktivën e Habitateve dhe të demonstrojë se ka kapacitetin për të menaxhuar në mënyrë efektive rrjetin e zonave të mbrojtura.

Organizatat argumentojnë se ndryshimet e vitit 2024 po ecin në drejtim të kundërt me këto kërkesa.

Sipas tyre, lejimi i investimeve turistike brenda zonave të mbrojtura krijon një konflikt afatgjatë midis zhvillimit ekonomik afatshkurtër dhe detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë për integrimin evropian.

Në letër, organizatat e shoqërisë civile e identifikojnë rastin e Pishë Poro-Nartës si shembullin më të fundit të pasojave që kanë sjellë ndryshimet ligjore.

Thirrje Kuvendit

Organizatat theksojnë se Kuvendi, si institucioni që inicioi dhe miratoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024, ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të adresuar pasojat e tyre.

“Besojmë se Kuvendi ka përgjegjësi institucionale për të siguruar që zonat e mbrojtura të Shqipërisë të qeverisen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe parimet e IUCN-së”, – thuhet në njoftimin për shtyp.

Kërkesa i është dërguar për dijeni edhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadave të vendeve anëtare të BE-së, Ambasadës së SHBA-së dhe një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshirë IUCN-në dhe Bankën Botërore.